Aktakuza për mashtrimet e veteranëve, që mezi u dorëzua nga Prokuroria në Gjykatë, do të kthehet serish mbrapa. Gjykata ka kërkuar përmirësime në aktakuzën që ka të dyshuar Agim Çekun dhe 11 bashkëpunëtorë të tij në verifikimin e veteranëve, ndërsa në Prokurori thonë se do t’i plotësojnë këto kërkesa. Nuk tregojnë se çfarë iu kërkua të përmirësojnë.
Gjykata Themelore e Prishtinës njoftoi se ka kthyer në Prokurorinë Speciale aktakuzën e ngritur për mashtrimet në listat e veteranëve.
Në një përgjigje me shkrim të Prokurorisë së Shtetit dhënë Gazetës Express thuhet se kanë pranuar kërkesën e Gjykatës për plotësimin e aktakuzës.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale, e në të cilën akuzohen 12 anëtarët e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranit, është kthyer nga Gjykata për përmirësime. Prokuroria thotë se do të veprojë në bazë të kërkesave që ka paraqitur Gjykata, ndërsa, nuk tregon se për çfarë përmirësime bëhet fjalë.
“Prokuroria do të veproj në bazë të kërkesës së Gjykatës, si dhe, konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale”, thonë nga Prokuria.
Hetimet e Prokurorisë Themelore për mashtrimet në listat e veteranëve kanë marrë vëmendjen pas dorëheqjes së prokororit special, Elez Blakaj, i cili është marrë me këtë rast.
Aktakuza është ngritur e është dorëzuar në gjykatë, e përcjellë me shumë zhurmë, pasi ajo nuk ishte dorëzuar nga Prokurori i rastit. E tash, ajo sërish do të rikthehet në duart e Prokurorisë Speciale. Kjo e fundit konfirmon se plotësimet e kërkesave të Gjykatës do të bëhen brenda afata të përcaktuara nga kjo e fundit.