Për të pestën herë ka dështuar mbajtja e seancës fillestare gjyqësore në rastin “Stenta”.
Shtyrja e radhës ka ndodhur të martën për shkak se Prokuroria Speciale nuk ka siguruar përkthimin e provave për të akuzuarit të cilët gjuhën shqipe nuk e kanë gjuhë amtare, shkruan sot Koha Ditore.
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku janë paraqitur 64 të akuzuar, seanca filloi me vonesë. Një orë u vonua prokurori i rastit Sylë Hoxha, e pak minuta pas tij erdhi gjykatësja e rastit Shahadije Gërguri.
Kjo e fundit ka insistuar që aktakuzën ta lexojë edhe pse palët nuk i kanë provat e kompletuara. Por avokati Kujtim Kërveshi, i cili në këtë rast mbron spitalin turk të zemrës (IMH), ka këmbëngulur se gjykata nuk po i trajton barabartë palët.