Prokuroria për rastin dallavereve me lejet për armë, Shala: Aksioni është duke vazhduar

Prishtinë | 19 Jan 2026 | 13:40 | Nga Gzim Mujaj

Një aksion i Prokurorisë Themelore të Prishtinës u zhvillua mëngjesin e kësaj të hëne, meqë dyshohet për lëshim të certifikatave për pajisje me leje armësh për qytetarë, pa respektuar ligjin, raporton Ekonomia Online.

E për këtë Zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Kaltrina Shala tha për Ekonomia Online se ndaj katër personave, dy zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe dy të tjerëve në sektorin privat, po ndërmerren veprime hetimore për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe pranim ryshfeti.

“Me urdhër të gjykatës kompetente, në bazë të kërkesës me shkrim nga ana e prokurorit të shtetit, është realizuar një urdhër kontrolli në disa lokacione të ndryshme, ku deri më tani dy persona zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dyshohet të kenë kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar, të cilët kanë lëshuar certifikata për t’u pajisur me leje të armëve tek qytetarët pa i përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme ligjore”, tha ai.

Ajo shtoi se dy persona të tjerë, të përfshirë në sektorin privat, dyshohet të kenë kryer veprën penale të pranimit të ryshfetit.

“Po ashtu edhe dy persona të tjerë të cilët dyshohet të kenë kryer veprën penale pranimi i ryshfetit”, tha ajo.

Shala bëri të ditur se të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor, ku do të intervistohen nga prokurori kompetent i shtetit.

“Të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor, ku me kohë do të intervistohen nga prokurori kompetent i shtetit. Gjatë ekzekutimit të urdhër kontrollit janë sekuestruar edhe disa dokumentacione të tjera të nevojshme, të cilat do të shërbejnë si prova në procedurën hetimore në lidhje me këtë çështje penale”, tha ajo.

Ajo gjithashtu njoftoi se aksioni hetimor është ende në zhvillim.

“Aksioni është duke vazhduar ende në disa lokacione të tjera, të cilat do të bëhen të ditura me kohë”, tha ajo.

Të ngjashme