Prokuroria e Shtetit ka pushuar hetimet për Elhami Hajdarin, kryeshefin tashmë të suspenduar në Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë në MBPZHR, pasi nuk ka gjetur asnjë provë me të cilën dëshmohet se Hajdari ka kryer veprën penale “Kanosje” për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, për të cilën akuzohet në vendimin e nxjerrë nga ministri Rikalo.
Prokuroria pas analizimit të kallëzimit penal dhe shkresave të tjera ka marrë vendim për pushimin e hetimeve ndaj të pandehurit E.H., sepse në rastin konkret nga të gjitha provat e administruara nuk ka gjetur prova se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën është ngarkuar”, thuhet në përgjigjet me shkrim të Prokurorisë së Shtetit, shkruan Zëri.
Ka qenë dje vetë ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo, i cila ka njoftuar se e ka pezulluar Elhami Hajdarin nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.
“Pas shumë ankesave dhe padive të cilat janë adresuar nga fermerët kundër punës së këtij Agjencioni, si dhe konfirmimi nga Prokuroria që është hapur proces ndaj tij, unë kam marrë vendim për pezullim të z. Hajdari”, thuhet në njoftimin për media të ministrisë, transmeton Klan Kosova.
“Arsyeja e këtij vendimi lidhet me çështjen e korrupsionit”.
“Unë nuk mund të toleroj të vazhdoj në këtë mënyrë që të shkatërroj imazhin e Ministrisë së Bujqësisë. Zotëriu në fjalë për një kohë të gjatë është nën hetime nga policia dhe prokuroria dhe nga ky pozicion, si Drejtor i Agjencisë, ai nuk mund të ushtroj presion në proceset e hetuesisë”.
Por pavarësisht vendimit të lëshuar nga Ministria e Bujqësisë më 8 maj për pezullimin nga puna me pagesë të kryeshefit të AZHB-së Elhami Hajdarit, ky i fundit u shpreh i bindur se nuk do ta respektojë asnjëherë këtë vendim të lëshuar.