Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka caktuar dy prokurorë që të merren me analizimin e dhënies së 35 mijë eurove pa tender, për përkthimin e dosjes “Stenta”. Këtë e ka bërë të ditur për gazetën zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridona Kozmaqi – Hajdaraj.
Këtë vendim Prokuroria e ka marrë pas raportimit që para një muaji e ka bërë gazeta për këtë çështje.
“Ju informoj se kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, do të shqyrtojë çdo informacion të publikuar në media, i cili argumentohet edhe me informata, prova dhe të dhëna bindëse që tregojnë se mund të jetë kryer ndonjë vepër penale, mirëpo nuk mund të bazohet dhe të fillojë ndjekje duke u mbështetur në të dhëna, të cilat janë të pambështetura në prova apo kur informatat janë të pabesueshme”, ka thënë Kozmaqi-Hajdaraj.
Sipas saj, në bazë të gjetjeve të analizës që do t’iu bëhet të dhënave për këtë çështje, do të vendoset nëse ka elemente të veprës penale ose jo.