Prokuroria po pretendon se do të vërtetohet fajësia e ish-policit Haris Kelmendi dhe policit Agon Hyseni të akuzuar se në qershor të 2018-ës kishin keqtrajtuar një të mitur derisa e kishin ndaluar në stacionin policor. Mbrojtësit e Kelmendit dhe Hysenit kanë kërkuar hudhjen e aktakuzës.
Deklarimet e palëve janë dhënë të hënën në seancën e shqyrtimit të dytë të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurorja Fikrije Sylejmani deklaroi se mbrojtja e të pandehurve Kelmendi dhe Hyseni është e pa bazuar pasi që prokuroria ka prova të mjaftueshme për kryerjen e këtyre veprave penale.
Ajo shtoi se kjo do të vërtetohet shqyrtimit gjyqësor me dëgjimin e të dëmtuarit L.R në cilësinë e dëshmitarit si dhe dëshmitareve tjerë dhe administrimin e provave materiale që gjenden ne shkresat e lëndë.
Fjalën e prokurores e ka mbështetur i dëmtuari L.R, ndërsa ka munguar përfaqësuesi i tij, avokati Musa Dragusha, për të cilin gjykatësja Sulltane Hoti tha se i njëjti ka qenë i njoftuar për këtë seancë në mënyrë të rregullt mirëpo mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Kelmendi, avokati Naim Rudari tha se qëndron në tërësi pranë kundërshtimit të ushtruar.
Sipas tij, aktakuza nuk ka përmbushur dyshimin e bazuar mirë që të jetë pjesë e shqyrtimit sepse prokuroria e shtetit ka rënë në presion të madh publik dhe mediatik.
“Prokuroria e shtetit ka rënë në presion të madhe publik dhe mediatik e sidomos nën presion dhe ndikimin e Inspektoratit të Policisë së Kosovës IPK-së të cilët janë munduar dhe po bëjnë përpjeke vazhdimisht që të bëjnë spektakle tani e për një kohë të gjatë në Policinë e Kosovës” tha avokati Rudari.
Tutje, Rudari deklaroi se video-incizimi nuk dihet se nga rrjedh e që sipas tij vet IPK-ja ka shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit dhe e ka nxitur që bëjë deklarata bombastike.
“E që kanë qenë ata që kanë shkuar e kanë marrë vet të dëmtuarin në të shtëpi dhe e kanë shtytur e kanë nxitur që të jap deklarata të tjera bombastike të cilat fare nuk kanë qenë ashtu e që ne do ta sfidojmë tani e tutje edhe të dëmtuarin”, deklaroi avokati Rudari.
Po ashtu, ai kërkoi ka gjykata që këtë çështje ta trajtojë me kujdes të veçantë dhe tha se mos t’i jepet mundësinë fare edhe prokurorisë edhe tani të dëmtuarit i cili është i dyshuar dhe përsëritës i shumë veprave penale që të mbizotërojnë as mbi Policinë e Kosovës e as mbi sigurinë e përgjithshme që ju nevojitet atyre.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Hyseni, avokati Kastriot Feka gjatë kësaj seance deklaroi se mbetet në tërësi pranë kundërshtimit të provave dhe kërkoi që kjo aktakuzë të hudhet pasi që sipas tij e njëjta është e bazuar vetëm në deklaratën e të dëmtuarit L.R
Sipas avokatit Feka, nuk ka asnjë provë që natën kritike i mbrojturi i tij të ketë qene preznet në keqtrajtim dhe po ashtu nuk ka provë se i njëjti ka bërë video inqizimin e asaj video që u paraqit në media.
“Prej hetimeve që janë zhvilluar brenda organizatës është saktësuar mirë se i mbrojturi im në natën kritike me shumë se dy orë prej momentit që L.R është paraqitur në stacionin policor, i njëjti ka qenë ne teren duke u marrë me raste dhe për këtë arsye dhe arsye tjera të cilat i kemi paraqitur në kundërshtimin e provave në kërkesën për hudhje të aktakuzës kërkojmë nga gjykata që i mbrojturi të lirohet nga aktakuza pasi qe nuk ekziston as edhe një provë e vetme qe ka qenë pjesëmarrjes në natën kritike”, tha avokati Feka.
Deklarimet e avokatëve Rudari dhe Feka i kanë përkrahur të akuzuarit Kelmendi dhe Hyseni.
E në fund sipas gjykatëses Hoti tha se lidhur me këto kërkesa gjykata do të vendos me vendim te veçante ndërsa për rrjedhën e mëtutjeshme të procedurës do të njoftoheni pas vendimit pavarësisht.
Ndryshe, për këtë rast, i akuzuari Kelmendi ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se gjatë vitit 2018 ka keqtrajtuar fizikisht një 18 vjeçar, në stacionin policor të Prishtinës.
Sipas aktakuzës së ngritur më 2 prill 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Haris Kelmendi po akuzohet së më 26 qershor 2018 në Stacionin Policor Qendra, në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar (zyrtar policor) derisa ishte duke e trajtuar të dëmtuarin L.R lidhur me një rast si i dyshuar, gjatë procedimit të rastit i akuzuari me dashje e ka keqpërdorur detyrën apo autorizimet e tij.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Kelmendi ka keqtrajtuar të dëmtuarin I.R, në atë mënyrë që i ka shkaktuar dhimbje fizike dhe psikike me formë veprimi në trupin-subjektin pasiv duke e goditur fuqishmen me shuplakë në fytyrë nga e cila goditje i dëmtuari rrëzohet.
Kurse, i akuzuari Agon Hyseni në vendin dhe datën e lartcekur po ashtu në cilësinë e personit zyrtar (zyrtar policor) gjatë procedimit të rastit, me dashje ka keqpërdorur detyrën apo autorizimet zyrtare, duke keqtrajtuar të dëmtuarin I.R në atë mënyrë që duke e goditur me duar në trup (duke ia drejtuar armën zyrtare dhe duke ja futur në gojë) me fjalët se “a po të duket mirë kur po jua shtini armën personave gjatë grabitjes” si dhe gjatë kohës sa ka qenë në Stacion Policor ka lejuar me u incizuar keqtrajtimi i të dëmtuarit me çka e ka cenuar rëndë dinjitetin e të dëmtuarit.
Me këto veprime ata po akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 195 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Tutje, në diapozitivin e dytë të kësaj aktakuze thuhet se më 29 janar 2021, në Prishtinë, i akuzuari Kelmendi fillimisht e thërret përmes telefonit të dëmtuarin I.R duke kërkuar nga i njëjti që ta tërheq deklaratën e dhënë në Inspektoratin Policor, të cilën kërkesë i dëmtuari e ka refuzuar.
Gjithnjë sipas aktakuzës, menjëherë pas kësaj i dëmtuari I.R ka pranuar edhe një thirrje tjetër ku i është kërkuar t’ia lehtësojë deklaratën kundër të akuzuarit, pastaj i akuzuari ka thirrur me telefon hetuesin e IPK-së Fitim Zeneli, duke u munduar që të parandalojë apo vonojë nga komunikimi i informatës hetuesit e tjerë të autorizuar, prokurorit apo gjyqtarit lidhur me kryerjen e veprës penale.
Për këtë, Kelmendi po akuzohet se ka kryer veprën penale “pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare” nga neni 386 paragrafi 1 pika 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.