Shumë konferenca e paraqitje mediale krerët e Prokurorisë së Shtetit i patën shfrytëzuar që aktakuzën e njohur si “Veterani”, të hartuar nga ish-prokurori Elez Blakaj, ta cilësonin si të “paplotësuar e joprofesionale”. Por shumë shpejt Prokuroria e Shtetit do të detyrohet që t’i largojë pjesën më të madhe të ndryshimeve që ia ka bërë asaj aktakuze, shkruan sot “Koha Ditore”.
Javën e ardhshme, Prokuroria e Shtetit pritet ta rikthejë përsëri aktakuzën “Veterani” tek Gjykata Themelore. Para disa javësh Gjykata pati kërkuar precizim e saktësim në aktakuzën për një nga skandalet më të mëdha të pasluftës.
Burime të “Kohës Ditore” brenda institucioneve të hetuesisë kanë bërë me dije se ky institucion për disa ditë pritet që aktakuzën aktuale ta rikthejë në versionin se si e kishte shkruar ish-prokurori Elez Blakaj.
Të akuzuar për këtë rast nga prokurori i dorëhequr Blakaj janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari.