Instituti “Columbus” ka prezantuar raportin “Depoja e keqpërdorimeve farmaceutike – Blerjet e barnave të listës esenciale shumëfish më shtrenjtë sesa çmimet në treg”.
Me këtë rast është shfaqur edhe dokumentari “Depoja e keqpërdorimeve farmaceutike” i realizuar nga instituti “Columbus”.
Autorja e raportit, Saranda Ramaj, tha se nga viti 2016 ka pasur ngritje të çmimeve të barnave nga 100 % deri në 2000 %. Ajo theksoi se është zhgënjyese që Prokuroria e Shtetit nuk ka nisur ende asnjë hetim për këtë, raporton Ekonomia Online.
Ajo përmendi disa nga 200 produktet, barna dhe materiale shpenzuese çmimet e të cilave janë ngritur nga viti 2016. Sipas Ramajt, morfina nga 0.85 centë është bërë 2.50 euro, tableta Diazepam nga 0.40 centë sot ka çmimin 2.50 euro.
Ajo shtoi se kur kanë nisur këtë hulumtim, fillimisht në gazetën ‘Koha Ditore’ është raportuar për 10 produkte për ndryshime të çmimeve, por nuk kanë besuar që do të dalin 200 produkte sepse, sipas saj, është keqpërdorim masiv.
Sipas Ramajt, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim, por vetëm për një produkt dhe kjo, tha ajo, nuk është e mjaftueshme.
“Zhgënjimi më i madh ka qenë se edhe pse kemi pasur raportime publike si institut, si Koha Ditore dhe medie tjera, Prokuroria e shtetit ende s’ka nisur asnjë hetim për këtë rast. Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim, por fatkeqësisht është vetëm me një produkt dhe unë shpresoj që prej konferencës së sotme do të jetë motivi që të shtrihet hetimi meqë kanë të drejtë ligjore”.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, pasi e përcolli dokumentarin dhe dëgjoi raportin tha se ato u japin mundësi ta kenë një bazë më të mirë për të diskutuar, raporton EO.
Ai shtoi se blerja e barnave me çmime të larta është realitet me të cilin duhet të përballen, sepse sipas tij, kjo çështje nuk mund të zgjidhet ndryshe.
“Na duhet me gjetë një sistem më të lirë dhe më të shpejtë, për këtë jemi duke punuar. Ne jemi në përfundim të Udhëzimit Administrativ. Nuk kemi mundësi me ba gjithmonë hulumtime të tregut nëse s’ka bazë ligjore që kur të vjen me çmim të lartë me e rrëzu”.
“Nëse s’kemi një bazë me luftu këtë, kemi me hasë gjithmonë në këtë proces. Abuzimet që kanë ndodhur sipas raportimit duhet m’i pa jo veç me zgjidhje të lehta. Këtu ka qenë mundësi e kohës që me thanë një udhëzim administrativ ka rritë çmimin, pse nuk u rrit edhe në barnatore”.
Ismaili deklaroi se pa bërë pompozitet kanë dërguar në institucionet e drejtësisë disa dosje në të cilat dyshojnë se ka shkelje.
“Kontratat e këtij viti i kemi inicuar 1-vjeçare, edhe nëse kemi bërë diku lëshime e kemi mundësinë me korrigju brenda 5-6 muajve të ardhshme. Ne kemi dërguar disa dosje qe kemi besuar se ka shkelje, por nuk kemi bërë pompozitet”
Sipas këtij instituti, në kohën kur tregu farmaceutik në Evropë është liberalizuar, në Kosovë çmimet e barnave janë shumë më shtrenjtë në sektorin privat. Kjo për shkak se, sipas “Columbus”, disa kompani farmaceutike kanë krijuar monopol në tregun e barnave.
Në këtë raport thuhet se Organi Shqyrtues i Prokurimit dhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik kanë vendosur standarde të dyfishta kur kompanitë janë ankuar për çmimet e larta të konkurrentëve pos çmimet e rekomanduara për nënshkrim kontrate.
Aty tutje theksohet se mungesa e konsistencës në vendime ka bërë që MSh-ja të vazhdojë kontraktimin e produkteve me çmime marramendëse, edhe pse e vetëdijshme se po dëmtohet buxheti publik dhe pacientët.