Prokuroria Speciale e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, i cili tha se kanë kërkuar nga kjo prokurori të i kryejë hetimet për rastin e Leposaviq, ku është sulmuar vetura e policisë ku janë lënduar pesë zyrtarë policorë.
Sveçla tha se pavarësisht kërkesës kjo prokurori nuk është përgjigjur ftesës.
Por, në reagimin e Prokurorisë Speciale bëhet e ditur se policia nuk e ka ndjekur vijen zyrtare të komunikimit.
Sipas PSRK-së lidhur me rastin nuk është kontaktuar prokurori kujdestar por prokurori përgjegjës për terrorizëm, i cili ka vlerësuar se rasti nuk ka elemente të veprës terroriste.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, në lidhje me deklarimet e Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, për rastin e sulmit të policëve në Leposaviq, njofton opinionin publik se deklarimi i z. Sveçla që “Zyrtarët policorë i kanë kërkuar Prokurorisë Speciale të marrë në hetim ngjarjen. Edhe pas këmbënguljes së tyre, Prokuroria nuk u përgjigj pozitivisht”, nuk paraqet pasqyrën e saktë të ngjarjes në kontekstin ligjor, për faktin se kompetenca lëndore e prokurorisë, në rastin konkret, kompetenca e veçantë dhe plotësuese e PSRK-së për hetimin e rasteve, është e përcaktuar qartë me ligj dhe nuk është në diskrecion të policisë apo zyrtarëve të Qeverisë që të përcaktojnë se cilat raste duhet të hetohen nga PSRK-ja dhe cilat nga prokuroritë themelore”.
“Për korrektësi, ju njoftojmë se për këtë rast, Policia e Kosovës nuk ka ndjekur vijën e rregullt të komunikimit zyrtar të përcaktuar për rastet e hetimeve – komunikimin me prokurorin kujdestar, por ka komunikuar me prokurorin përgjegjës për terrorizëm në PSRK, i cili pasi ka marrë informatat nga policia, ka vlerësuar se rasti nuk ka elemente terrorizmi dhe të njëjtit i udhëzon që nëse nga veprimet e mëtejmë të policisë mund të rezultojë se ka elemente të terrorizmit, të njoftohet prokurori kujdestar në PSRK”.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, në lidhje me deklarimet e Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, për rastin e sulmit të policëve në Leposaviq, njofton opinionin publik se deklarimi i z. Sveçla që “Zyrtarët policorë i kanë kërkuar Prokurorisë Speciale të marrë në hetim ngjarjen. Edhe pas këmbënguljes së tyre, Prokuroria nuk u përgjigj pozitivisht”, nuk paraqet pasqyrën e saktë të ngjarjes në kontekstin ligjor, për faktin se kompetenca lëndore e prokurorisë, në rastin konkret, kompetenca e veçantë dhe plotësuese e PSRK-së për hetimin e rasteve, është e përcaktuar qartë me ligj dhe nuk është në diskrecion të policisë apo zyrtarëve të Qeverisë që të përcaktojnë se cilat raste duhet të hetohen nga PSRK-ja dhe cilat nga prokuroritë themelore.
Për korrektësi, ju njoftojmë se për këtë rast, Policia e Kosovës nuk ka ndjekur vijën e rregullt të komunikimit zyrtar të përcaktuar për rastet e hetimeve – komunikimin me prokurorin kujdestar, por ka komunikuar me prokurorin përgjegjës për terrorizëm në PSRK, i cili pasi ka marrë informatat nga policia, ka vlerësuar se rasti nuk ka elemente terrorizmi dhe të njëjtit i udhëzon që nëse nga veprimet e mëtejmë të policisë mund të rezultojë se ka elemente të terrorizmit, të njoftohet prokurori kujdestar në PSRK.
Për më tepër, PSRK-ja nuk ka pranuar asnjë raport zyrtar nga policia lidhur me këtë rast, përmes të të cilit do të mund të përcaktohej nëse është kompetente ose jo për të trajtuar këtë rast.
Nga informatat e para, të lëshuara nga autoritetet e policisë dhe prokurorisë lidhur me këtë rast, lehtë konstatohet se bëhet fjalë për vepra që nuk janë në kompetencë të PSRK-së dhe për rastin tashmë Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi. Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga njoftimi zyrtar i Policisë për PSRK-në, ku përshkruhen veprat për të cilat janë filluar hetimet nga prokuroria kompetente.
Përmes këtij njoftimi, PSRK-ja siguron qytetarët se mbetet maksimalisht e përkushtuar për të përmbushur mandatin ligjor në luftimin e të gjitha formave të krimit, brenda kompetencës së përcaktuar me ligj, prandaj kërkon nga të gjithë zyrtarët shtetëror që të përmbahen në deklarime të ngutshme dhe të pasakta, veçanërisht nga ato që kanë të bëjnë me hetime të rasteve, sepse deklarime të tilla, nuk i kontribuojnë hetimit të pavarur dhe profesional të rasteve dhe mund të krijojnë huti në opinion, gjë që dëmtojnë imazhin e institucioneve të drejtësisë dhe zbehin besimin e publikut në punën e tyre.