Vetëm disa ditë pasi politikania serbe Rada Trajkoviq, në media serbe bëri publike se një person asaj ia kishte ofruar xhirimet dhe pamjet e momentit të vrasjes së liderit të Oliver Ivanoviqit, Trajkoviqi është ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale.
Të mërkurën, Trajkoviqi, në zyrat e kësaj prokurorie, ka dhënë deklaratën e saj dhe informatat të cilat ajo posedon lidhur me këtë vrasje të ndodhur në janar të këtij viti. Pos saj, deri tash, është intervistuar edhe një dëshmitar, raporton KTV.
Sipas Sylë Hoxhës, prokuroria është në dijeni për identitetin e personit dhe gjithashtu vendndodhjen e tij dhe se tashmë ka ndërmarrë veprimet për këtë rast.
Në mesin e personave të cilët janë duke u hetuar nga Prokuroria është edhe një zyrtare e partisë së SDP-së, e cila thuhet se kishte qenë afër kamerave të sigurisë në këtë parti, të cilat dyshohet se nuk kishin funksionuar pikërisht në momentin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
Derisa për Prokurorinë Speciale të Kosovës mbetet i paarritshëm njëri nga të dyshuarit në këtë rast, nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radjoçiq, për të cilin tashmë është kërkuar fletarrest ndërkombëtar.
Oliver Ivanoviqi u vra derisa po hynte në zyrën e partisë së tij, SDP, në Mitrovicën Veriore, me 6 plumba, më 16 janar 2018.