Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë kundër R.A dhe K.P, pranë Gjykatës Themelore në Pejë, për shkak se R.A. ka kryer veprën penale, shtytja për kryerjen e veprave penale nga neni 141 të KPRK-së dhe veprën penale nga neni 3 paragrafi 4 të ligjit mbi ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë vendit. Ndërkaq, K.P., ka kryer veprën penale për moslajmërim të veprës penale apo kryerësve të tyre nga neni 286 paragrafi 1 pika 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës R.A. në vazhdimësi në mënyra të ndryshme ka postuar mesazhe për publikun, me qëllim që të shtyjë kryerjen e aktit terrorist, në atë mënyrë që në rrjetin social Facebook në profilin e tij, ka postuar video-incizime, fotografi dhe komente duke shprehur haptazi përkrahjen dhe simpatinë ndaj organizatës terroriste Shteti Islamik “ISIS”.
Po ashtu, në aktakuzë thuhet se përmes këtyre publikimeve ka shprehur urrejtje ndaj pjesëtarëve të tjerë të komunitetit dhe propagandon islamizmin, ashtu që nga fotografitë e publikuara ka paraqitur “Xhihadistë” dhe “sulmues vetëvrasës”. R.A. me këto veprime ka kryer veprën penale “shtytja për kryerjen e veprave terroriste” nga neni 141 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale nga neni 3 paragrafi 4 të Ligjit mbi ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë vendit, nr.05/L-002.
Ndërkaq, i pandehuri K.P. në periudhën e papërcaktuar kohore në vitin 2017, nuk e ka lajmëruar veprën penale dhe kryerësin e saj, në mënyrë që pasi i njëjti ka pasur kontakte me persona që kanë marrë pjesë në Siri dhe të cilët janë marrë me aktivitete terroriste, ashtu që kur i pandehuri R.A., për të cilin ka qenë në dijeni se merret me aktivitete të tilla ka kërkuar nga ai që të kryej një sulm vetëvrasës në territorin e Republikës së Kosovës, duke i thënë “se i duheshin të holla për financim dhe disa vëllezër mysliman për të organizuar një sulm istishadije (vetëvrasës) kundër shtetit, kundër qeverisë” por edhe pse nuk ka pranuar, i pandehuri K.P., nuk e ka lajmëruar rastin në Polici. Me këto veprime i pandehuri K.P., ka kryer veprën penale moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre nga neni 386 paragrafi 1 pika 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.