Prokurori i Shtetit njofton opinionin se gjatë 48 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur 54 aktakuza kundër 56 personave për vepra të ndryshme penale, si dhe, ka ndaluar 8 persona ku për 3 prej tyreve është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit.
Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, kanë ndërmarrë një operacion kontrolli në disa barnatore në rajonin e Prizrenit, me dyshimin për medikamente të kontrabanduara dhe pa banderola. Gjatë kontrollit janë gjetur sasi të konsiderueshme të medikamenteve pa banderola dhe me banderola të vendeve të rajonit si Serbia, Maqedonia dhe Shqipëria. Me këtë rast, janë sekuestruar 688 pako me medikamente të llojeve të ndryshme.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), gjatë 48 orëve të fundit ka ndaluar një person për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Po ashtu, kjo prokurori ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Z.Dj., nga Peja, me vendbanim aktual në Beograd, për veprat penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë” të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës, “Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar”.
Gjatë 48 orëve të fundit, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ndaluar 2 persona për vepra të ndryshme penale, si dhe, ka ushtruar 1 kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 1 personi. Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur 16 aktakuza kundër 17 personave.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar në Prokurorinë Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm, janë ndaluar për 48 orë dy persona, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Ndaj të njëjtëve është bërë kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.
Në Prokurorinë Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, janë ngritur dy (2) aktakuza kundër tre (3) personave për këto vepra penale: “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve” dhe “Mundësimi ose detyrimi në prostitucion” sipas KPRK-së.
Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, kanë ndërmarrë një operacion kontrolli në disa barnatore në rajonin e Prizrenit, me dyshimin për medikamente të kontrabanduara dhe pa banderola. Me këtë rast, janë sekuestruar 688 pako me medikamente të llojeve të ndryshme.
Në Prokurorinë Themelore të Pejës, gjatë 48 orëve të fundit është ndaluar një i mitur, për shkak të veprës penale “Vrasje e mbetur në tentativë”. Po ashtu, kjo prokurori gjatë 48 orëve ka ngritur 25 aktakuza kundër 25 personave për vepra të ndryshme penale.
Departamenti Përgjithshëm i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, ka ngritur 1 aktakuzë, kundër 1 personi, për shkak të veprës penale ‘’Dhunë në familje’’.
Prokuroria Themelore në Gjakovë njofton opinionin se për 48 orët e fundit ka ndaluar një person për 48 orë, për veprën penale” dhunë në familje”, është bërë një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj M.A., për veprën penale “ rrezikim i trafikut publik” gjithashtu ka ngritur një aktakuzë kundër L. Xh., për veprat penale” Kanosje” dhe “ Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë gjatë 48 orëve të fundit ka ngritur 5 aktakuza kundër 5 personave. Po ashtu, Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka bërë një kërkesë për sekuestrim.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 48 orëve të fundit me urdhër të prokurorit ka ndaluar një person për shkak të dyshimit se e ka kryer veprën penale “Dhunë në familje, Kanosje dhe Armëmbajtje pa leje”, ku ndaj të njëjtit ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit. Po ashtu, kjo prokurori ka ngritur 3 aktakuza kundër 3 personave të ndryshëm për vepra të ndryshme penale.