Prokurorja në pushim, anulohet gjykimi për korrupsion ndaj ish-kryesuesit të Bordit të drejtorëve të “Trafiku Urban”

Prishtinë | 29 Qer 2023 | 10:12 | Nga Ekonomia Online

Për shkak se prokurorja Bukurije Gjonbalaj është në pushim vjetor, është anuluar seanca e paraparë që të mbahet të enjten, në rastin ku Ruhan Beha në cilësinë e kryesuesit të bordit të drejtorëve të NPT “Trafiku Urban” po akuzohet për korrupsion.

Anulimi i seancës së të enjtes, për “Betimi për Drejtësi” është konfirmuar nga zyra e gjykatëses Fatime Dërmaku, ku thuhet se prokurorja Gjonbalaj i kishte njoftuar të njëjtit përmes email-it zyrtar se gjendet në pushim vjetor.

Ndryshe, Beha në shkurt të vitit 2020, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrim i ndikimit”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 tetor 2020, Ruhan Beha në cilësinë e kryesuesit të Bordit të drejtorëve të NPT “Trafiku Urban”, në Prishtinë, në vazhdimësi nga shtatori e deri në dhjetor 2019, kishte kërkuar nga vartësi i tij Lulzim Rexhepaj, i cili kishte pozitën e kryeshefit ekzekutiv, që t’ia punësojë bashkëshorten e tij Lendita Beha, e cila ka qenë e angazhuar si praktikante në entin për punësim.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Beha fillimisht kishte kërkuar që të hapet konkursi për pozitën e zyrtarit të IT-së e pas shpalljes së konkursit, kishte insistuar dhe drejtuar kanosje që bashkëshortja e tij të punësohet në këtë konkurs.

Siç thuhet në aktakuzë, kur i dëmtuari Lulzim Rexhepaj më 23 dhjetor 2019, kishte marrë vendim për anulimin e konkursit, i pandehuri Beha kishte filluar iniciativën për shkarkimin e tij, duke e bërë draftin e vendimit për shkarkimin e tij dhe duke e kërcënuar se do të rrahë të dëmtuarin.

Për këto veprime, Beha po ngarkohet me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 3, nënparagrafi 3.1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme