Në vazhdën e promovimeve të romanit “Dushkaja”, shkrimtari Jusuf Buxhovi, mbrëmë ishte mysafir i Klubit të Intelektualëve të Ferizajt. Promovimin e romanit në këtë qytet, autori ia dedikoi shkrimtarit Ramadan Hazirit, për të cilin tha se është njëri ndër prozatorët më të frytshëm të letërsisë shqipe dhe njëherësh njëri ndër më të rëndësishmit e saj.
“Vepra letrare e Hazirit ndërtohet mbi një mozaik tematik të dokumentaritetit të ngjarjeve më të rëndësishme shoqërore dhe politike të shekullit të fundit”.
Edhe me këtë rast, shkrimtari Buxhovi, në fjalën e tij, u ndal te temat që kishte preku gjatë promovimeve në Gjakovë, Pejë dhe Prizren, si shqetësime intelektuale, që lidhen me raportet midis çlirimit dhe lirisë, raportet me shtetin e Kosovës, raportet e shqiptarizmit në kuptim të ridefinimit të tij në përputhje me rrethanat si dhe raportet me religjionet.
Te raportit i zhdrejtë midis çlirimit dhe lirisë, ku e para e ka ngulfatë të dytën dhe e ka kthyer thuajse në një robëri tjetër, Buxhovi shtroi përgjegjësinë e intelektualëve për ikje nga liria, po edhe të bartjes së saj të vullnetshme te rrënuesit e saj – klasa e tanishme politike.
“Ky paradoks tregon për thadrimin e mentalitetit të robit si dhe të sindromit të frikës nga liria dhe përgjegjësia e saj. ”
Rreth raporteve të çoroditura me shtetin, ku ai në njërën anë është kthyer në plaçkë të klasës politike, që zhvatet pamëshirshëm dhe për ta mbajtur atë janë në gjendje që politikisht ta kthejnë edhe ndikimin e Beogradit, siç ndodhi me qeverinë e fundit si peng i “Listës serbe”, paçka se NATO-ja Serbinë e largoi me bomba nga Kosova, dhe në tjetrën anë, e gjitha shikohet me inferioritet, sikur të ishte një mallkim, autori fajësoi qytetarët e saj, të cilët ikin nga përgjegjësia dhe kështu kthehen në rrënues të një vlere ekzistenciale, që po nuk u mbrojt, shembet.
Duke folur për hapjen e çështjes së bashkimit kombëtar, në rrethanat e dy shteteve shqiptare në Ballkan, autori tha se kjo imponon nevojën e redefinimit të shqiptarizmit, në atë mënyrë që ideologjia e shekullit të kaluar t’ia lëshojë vendin unionit të shteteve shqiptare në Europën e Bashkuar në mënyrë demokratike dhe gjithnjë në pajtim me aleatët perëndimorë, që ndihmuan krijimin e shtetit të Kosovës, që njëherësh ishte edhe interes i tyre.
Edhe te raportet me religjionet, autori ishte shumë kritik. Tha se Kosova është një shtet laik, gjë që kjo përkon edhe me idealet e rilindësve tanë. Klasa politike e tanishme, edhe këtë parim, jo vetëm që nuk po e mbron, por edhe po e rrënon, duke ia hapur rrugën islamit politik.
“Me këtë nuk i është ndihmuar lirisë së besimit, që është njëra ndër të drejtat elementare njerëzore dhe qytetare, që duhet respektuar. Përkundrazi, grupet e caktuara politike nga radhët e PDK-së, LDK-së po edhe të Vetëvendosjes, religjionin e kanë kthyer në klientenizëm politik si dhe mundësi të mirë për përfitime maramendëse materiale me prapavijë kriminale.”
Sipas Buxhovit, kjo ka ndikuar që shteti laik, në shumë segmente të kapitullojë para religjionit politik, gjë që nuk është e rastit sot që kërkohet që besimi të kthehet në një identitet dominues madje edhe përcaktues, që e zëvendëson atë kombëtar deri në atë masë saqë ai të shpërfillet fare, në vend që feja të mbetet e drejtë individuale e çdo njeriu, siç është e përcaktuar edhe me parimet kushtetuese.
“Nuk duhet të habitemi pse ndodhë kështu, ngaqë sot politikanët tanë flasin si klerikë, ndërsa klerikët si politikanë. Kjo u pa më së miri, ditë më parë, kur zëvendëskryeministri doli me propozime që edhe qendra universitare e Prishtinës, një monument i identitetit të emancipimit tonë kombëtar dhe shtetformues ndër më të rëndësishmit, të kthehet në një qendër islamike! Ndërkohë që nuk reagojnë as strukturat universitare, as studentët dhe askush!
Në kuadër të bashkëbisedimit, pati një shkëmbim mendimesh rreth çështjeve që autori i shtroi si shqetësime intelektuale si dhe vlerësime për romanin nga Haki Shaqiri dhe Enver Zhinipotoku.