Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka organizuar konferencën me temën “Turizmi për zhvillim: Mundësitë që duhen shfrytëzuar”. Gjatë kësaj konference u prezantuan të gjeturat e dy anketave të zhvilluara nga SwissContact në Kosovë dhe Instituti Riinvest.
Aty u theksua se promovimi i turizmit do të ndikojë në përmirësim të imazhit të vendit dhe zhvillimin ekonomik. Gjithashtu u theksua nevoja e krijimit të një organizate shtetërore të turizmit, raporton Ekonomia Online.
Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati, tha se Kosova edhe pse ka hapësirë gjeografike relativisht të vogël, ofron mundësi të llojeve të ndryshme të turizmit.
“Zotohemi që së shpejti do të themelojmë departamentin e turizmit, i cili do t’u përgjigjet nevojave të zhvillimit të turizmit, si një veprimtari që do të ndikonte drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ne dhe do të vazhdojmë të punojmë në promovimin e turizmit me qëllim që vendi ynë të hyj në hartën e shteteve që ofrojnë mundësi turizmi”, ka thënë Kastrati.
Menaxherja e programit Promovimi i Sektorit Privat nga “SwissContakt” në Kosovë, Sigrit Meijer, tha se krahasuar me vitet e kaluara kur edhe ka pasur mungesë të informatave mbi turizmin në Kosovë, tani duhet të jemi të lumtur që posedojmë disa hulumtime të turizmit.
“Turizmi është sektor i cili ndikon në rritje të GDP-së dhe në krijimin e vendeve të reja të punës, prandaj duhet të bëhet më shumë në promovimin tij. Në të kaluarën ka pasur mungesë të informatave mbi turizmin dhe tani jemi të lumtur që kemi hulumtime dhe mund të dimë se cila është kërkesa. Turizmi është një mënyrë e shkëlqyeshme edhe në përmirësimin e imazhit të vendit, shpresoj që kjo ngjarje të jetë si pikënisje për promovim më të madh të këtij sektori”, tha Meijer.
Ndërsa, Isuf Zejna, gjatë prezantimit të hulumtimit mbi turizmin tha se nga viti 2008 deri në vitin 2015 në Kosovë ka pasur dyfish me shumë vizitorë ndërkombëtarë, ndërsa vendet më shumë të vizituara kanë qenë: Prizreni, Peja dhe Prishtina.
“Krahasuar me vendet e rajonit Kosovës i mungon një dikaster i turizmit dhe gjithashtu mund të theksohet si nevojë për një organizatë shtetërore të turizmit”, tha Zejna.
Hulumtimet e prezantuara sot janë bërë me qëllim që këto gjetje të përdoren për avancimin e sektorit të turizmit, si dhe identifikimin e nevojës për themelimin e Organizatës Shtetërore të Turizmit në Kosovë.