Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është bërë promovimin e librave “Lufta e Kosovës në labirintet diplomatike” dhe “Në Gjenevën për Kosovën – fjalime në institucione ndërkombëtare 1998 – 2002”, të autorit Ksenofon Krisafi, i cili ka qenë ambasador dhe përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë pranë zyrave të OKB-së dhe të OBT-së në Gjenevë.
Ky promovim i librave u organizua në bashkëpunim mes zyrës së zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj dhe Akademisë Diplomatike të Kosovës. Hoxhaj kishe paralajmëruar se do të merrte pjesë, por sipas stafit të tij, ai nuk ka mundur të mbërrijë për shkak të angazhimeve, raporton Ekonomia Online.
Për të ndjekur nga afër promovimin ishin kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, akademiku Rexhep Qosja, shkrimtari Agim Vinca, ish-zëvendëskryeminstri i Kosovës, Hajredin Kuçi dhe pjesëmarrës të tjerë.
Beqir Ismaili, Drejtor i Akademisë Diplomatike të Kosovës, tha se librat dokumentojnë përpjekjet për zgjidhjen e cështjes së Kosovës.
“Këto libra që po promovohen dokumentojnë luftën e Kosovës, si pjesë e përpjekjeve për zgjidhjen e problemeve të Kosovës. Në këtë kuadër për të informuar mbarë opinionin ndërkombëtar për zhvillimet në Kosovë. Një faktor më rolin e rëndësisë, jo me armë”, ka thënë Ismaili.
Ish-ministri i Kulturës në Shqipëri, Moikom Zeqo, tha se këta dy libra pasqyrojnë diçka unikale, siç është pavarësia e Kosovës.
“Në 100 vjet histori kombëtare mblidhemi për dy libra që i kushtohen çështjes se Kosovës, si më të habitshmes dhe më të ndërlikuarës. Një çështje e cila ka gjetur një zgjidhje që për fat të keq shumë popuj të tjerë s’kanë mundur ta gjejnë. Këto dy libra i kushtohen pikërisht këtij problemi. Diplomacia si sublimim i çështjes kombëtare është nga dimensionet që e kemi nënvlerësuar. Të dy librat janë jo të trilluar, janë të vertetë për arsye të kronologjisë, rolit, të asaj që unë e quajta ekskluziviteti historik. Këto vepra të pasqyrojnë diçka unikale, çështja e pavarësisë së Kosovës që ndodh një herë me 2000 vjet”.
Profesori Pëllumb Gjufi, ish-ambasador i Shqipërisë në Itali, tha se profesori Krisafi ka luajtur rol të rëndësishëm në tërheqjen e vëmendjes së faktorit ndërkombëtar për çështjen e Kosovës.
“Çështja e Kosovës u bë çështja parësore e ministrisë së Jashtme. Një nga qendrat më kardinale të politikës së jashtme ishte edhe Gjeneva. Profesori ka luajrur rol të rëndësisëm në tërheqjen e faktorit ndërkombëtar në atë periudhë. Fjalimet e tij në libër janë sintezë e shkëlqyer e një diplomati të fortë, të një eksperti të së drejtës ndërkombëtare, por edhe të një patrioti. Kjo luftë heroike solli lirinë e Kosovës, bashkimin e botës përëndimore, NATO s’ka qenë asnjë herë më e bashkuar se në rastin e Kosovës”.
Autori Ksenofon Krisafi tha se rreshtat e parë të këtyre librave i ka shkruar para 60 vjetësh, kur ishte nxënës në një shkollë të Gjirokastrës.
Krisafi shtoi se shtytje për të shkruar këtë libër i kanë edhe demonstratat e studentëve të Universitetit të Prishtinës në vitin 1981.
“Pavarësia e Kosovës nje ngjarje madhore, unikale pas pavarësisë se Shqipërisë. Kosova ka qenë dhe ka mbetur pjesë e rëndësishme e formimit qytetar dhe kulturor të çdo shqiptari. Historia e këtyre librave është interesante, rreshat e parë janë shkruar 60 vjet përpara, kur isha fëmijë dhe shkoja në shkollë në Gjirokastër. Faqet e para të këtyre librave do të shkruheshin kur unë isha student. Një ngjarje tjetër shumë domethënëse që do të bëhej shtytëse për mua është pranvera e vitit 1981, demonstratat e studentëve të Universitetit të Prishtinës.”
Krisafi foli edhe për angazhimin e tij në OKB si ambasador i Shqipërisë.
“Me autoritenin e ambasadorit mora për të aktivizuar djemtë dhe vajzat e Shqipërisë andej e këndej, zgjodha studentë të shkëlqyer që i bëra pjesë të delegacionit në Gjenevë. Angazhimi i këtyre djemëve dhe vajzave në tribuna të organizatave të Gjenevës, ishte ndryshim i imazhit dhe përfshirjes së çështjes së Kosovës në këto organizata. Ky insiticion diplomatik i Shqipërisë përpiqej të jepte kontribtin e vet që problemi të zgjidhej siç u zgjidh”.
Autori shtoi se qëllimi i promovimit të këtyre librave është që tu tregojnë të rinjve se bashkimi e bën fuqinë. Ai deklaroi se shqiptarët duhet të punojnë për të qenë të bashkuar e jo për tu ndarë.
“Objektivi ka qenë qe tu tregojmë brezave të rinj thënien që bashkimi bën fuqinë. Mendja jonë duhet të punojë jo për tu ndarë por për të qenë të bashkuar. Jo per te marrë pushkët, por për te ndjerë se jemi bashkë”.
Akademiku Rexhep Qosja, i cili përgëzoi autorin për këto dy libra, duke thënë se ai ka bërë beteja të rëndësishme, si beteja diplomatike.