Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka bërë promovimin e librave në dhjetë vëllime “Kujtesa e Kosovës 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka”, raporton Ekonomia Online.
100 rrëfime autentike shpalosin gjithë botën e përditshmërisë në Kosovë, nga Lufta e Dytë Botërore deri sot, vijnë në rreth 5000 faqe transkriptesh të 100 intervistave me 100 pleq dhe plaka mbi 80 vjeç.
Temat që trajtohen në historitë gojore të 100 të moshuarve të intervistuar janë tema mbi organizimin e jetës, zakonet, organizimin e fshatit, duke përfshirë këtu zakonet ekonomike e edhe marrëdhëniet tregtare brenda dhe jashtë vendit.
Gjithashtu janë mbledhur historitë gojore të mbajtjes së fesë dhe tolerancës, artit dhe zejtarisë, martesave dhe të drejtave të grave në përgjithësi
Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) Kujtim Gashi, tha se me këtë projekt është bërë grumbullimi i historive jetësore të një periudhe jo-mjaftueshëm të dokumentuar, periudhë kjo e vuajtjes, e vetëmohimit, e flijimit të njerëzve të Kosovës.
“Projekti i Kujtesës së Kosovës: ‘Historia gojore – 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka’ – projekt më ndryshe dhe më gjithëpërfshirës – ka mbledhur, dokumentuar, publikuar dhe po promovon historitë gojore të personave të moshuar të Kosovës, duke ‘zënë kështu hapin’ në grumbullimin e historive jetësore të një periudhe jo-mjaftueshëm të dokumentuar, që të mos themi fare pak të dokumentuar, periudhë kjo e vuajtjes, e vetëmohimit, e flijimit të njerëzve të Kosovës”.
Ai më tej ka shtuar se realizimi i këtij projekti vjen edhe pas trajnimit të ekipit punues nga ligjërues – profesionistë të fushës së historisë gojore, mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë.
“Raporti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit kundrejt mbledhjes dhe ruajtjes se historisë së popullit tonë, duke parë rrugëtimin e projektit ‘Kujtesa e Kosovës’, nisur me botimin ‘Hisja e gruas’ dhe pastaj ambicien e dëshmuar për zhvillimin e mëtejmë të fushës së historisë gojore në Kosovë, ka reflektuar me mbështetjen e fazës së dytë të këtij projekti që përfshiu dokumentimin dhe ruajtjen e intervistave të realizuara në format të shtypur dhe në atë audio”.
“Realizimi i këtij projekti vjen edhe pas trajnimit të ekipit punues nga ligjërues – profesionistë të fushës së historisë gojore, mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë, e që përkon me një nga misionet e përbashkëta dhe aktuale të Ministrisë së Kulturës dhe Bibliotekës Kombëtare – trajnimi i bibliotekarëve në fushat e grumbullimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore e shpirtërore të vendit”.
Ai ka garantuar se MKRS-ja do ta përkrahë Bibliotekën Kombëtare të Kosovës edhe këtu e tutje që të mbledhë dhe të ruajë rrëfimet biografike autentike të njerëzve të Kosovës.
“Ministria e Kulturës do ta përkrahë Bibliotekën Kombëtare të Kosovës edhe këtu e tutje që të mbledhë dhe të ruajë rrëfimet biografike autentike të njerëzve të Kosovës, duke përzgjedhur ata që kanë çfarë të rrëfejnë për jetën e tyre, për përjetimet e tyre të ruajtura në kujtesën e tyre”, tha ministri Gashi.
Fazli Bajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, tha se mbledhja e kujtimeve të njerëzve të moshuar ka një rëndësi për historinë e Kosovës, raporton EO
“Sot po botohet i pari botim i historisë gojorë të 100 pleqve dhe plaka, mbledhja dhe ruajtja e kulturës gojorë është një qytetërim modern, një hap i ri nga biblioteka kombëtare e Kosovës. Mbledhja e kujtimeve të njerëzve të moshuar ka një rëndësi për historinë e Kosovës”.
Raimond Welc Jr. zyrtar për informim në Ambasadën Amerikane, tha se pret që këto rrëfime edhe të xhirohen.
“E inkurajoj secilin institucion dhe individ të dëgjojë dhe botojë të gjitha rrëfimet e të gjitha etnive, ne do ta kumtojmë tjetrin vetëm nëse ja dëgjojmë rrëfimin, shpresoj që ky material do të transmetohet në art film, këto rrëfime hapin rrugë për të eksploruar më shumë”.
Ismajl Maqedonci, njëri nga rrëfimtarët e këtyre botimeve, u shpreh i emocionuar që ka pasur mundësi të kontribuojë në përmbledhjen e këtyre rrëfimeve.
“U falënderoj që më keni thirr, jam i gëzuar shumë që kom ardhur me pa këtu. Në kohë tonë nuk ka pas kushte për shkollim tash jam i lumtur që të rinjve po u mundësohet shkollimi”.
Kurse pas promovimit të këtyre botimeve, në hapësirën e bibliotekës po qëndron e hapur ekspozita me fotografitë e atyre që i rrëfyen tregimet.