Në kuadër të aktiviteteve të Panairit të Librit “Prishtina 2019”, shtëpia botuese “Toena” nga Tirana, ka organizuar promovimin e ditarit politik, edicion i tetë, nga akademik Rexhep Qosja, “Dëshmitar në kohë historike”, raporton Ekonomia Online.
Akademiku, Rexhep Qosja, ka falënderuar gjithë bashkëpunëtorët për ndihmesën që i kanë bërë në botimin e këtyre vëllimeve.
“Falënderoj gjithë ata që morën pjesë, botuesin tim për botimin e ditarëve të mi dhe të gjithë juve që morët pjesë në këtë ngjarje”, tha Qosja.
Shkrimtari, Agim Vinca, ka vlerësuar lartë veprat e Qosjes.
“Në letërsinë e kulturës shqiptare ka ndodh të botohet edhe më parë vepra në formë ditari, por për herë të parë apo edhe të fundit lexuesi shqiptar e ka një vepër në formë ditari me 8 vëllime me mijëra faqe dhe tekst”, tha Vinca.
Shkrimtari, Paskal Milo, tha se ndjehet i nderuar që është i pranishëm këtu të flas për profesorin Rexhep Qosjen dhe veprën e tij.
“Kam emocion jo vetëm për atë se çfarë ka shkruar profesori në veprën e tij, por se kam qenë edhe unë dëshmitar për gjitha ato ngjarjet që profesori përshkruan në këtë vëllim. Kam qenë dëshmitar aktiv ku fatet tona u kryqëzuan në mënyrë të pazgjidhshme dhe kontributet tona të përbashkëta sollën vepra, lirinë e Kosovës dhe pavarësisë së saj”, tha Milo.
Milo tha se shqiptarët kudo që janë duhet ta kenë për nderë që janë bashkëkohës të Rexhep Qosjes, raporton EO.
“Ky vëllim është per mua një dëshmi e mendje kthjelltësisë të profesorit, një dëshmi që dëshmon se kapacitetet e tilla intelektuale, morale nuk i lindin kombit shqiptar gjithnjë”, shtoi ai.
Ndërsa në fund shkrimtari, Mexhid Mehmeti, i bëri një dhuratë simbolike Qosjes, një punim me portretin e akademikut me flamurin kombëtarë.