Është promovuar libri “Bir i Atdheut” i autorit Mehmet Hajrizi, kushtuar dëshmorit Naser Hajrizi, raporton Ekonomia Online.
Libri nëpërmjet një rrëfimi autentik, paraqet zhvillimet historike të fillimit të viteve 80-të të shekullit të kaluar në Kosovë dhe jetën e veprën e dëshmorit, Naser Hajrizi, i rënë në ballë të demonstratës së 2 prillit 1981, në qendër të Prishtinës, së bashku me shokun e idealit, Asllan Pirevën.
Redaktori i librit, Emin Kabashi, ka thënë se ky libër demanton të gjitha opinionet e deri tanishme që janë dhënë për protestat e vitit 1981, duke e vlerësuar si ngjarje krejtësisht të bazuar në të vërteta.
“Lërini spekulimet se kush i kishte organizuar ato ngjarjet, libri i Mehmet Hajrizit kushtuar dëshmorit të kombit, Naser Hajrizi, jo vetëm e demanton ngjarjen e kryengritjes së vitit 1981, por ai ka krijuar njeriun e atyre ngjarjeve”.
“Është dëshmi historike, dëshmi e sakrificës se nuk ka atdhe pa gjakun për liri. Ky është libër për ata që ia falin jetën atdheut. Ai ishte shumë i ri për të vdekur por nuk ishte shumë i ri për të rënë për liri. Naser Hajrizi nuk kishte dalë në protestë për të lëvduar dhe ngritur në qiell të tjerët por kishte dalë në emër të lirisë, për popullin që ishte deri në grykë e robëruar”.
“Një fëmijë që kishte sjellë gëzim në familje kur kishte lindë, një fëmijë me shumë kureshtje për të nxëbë dije, një veprimtar i çështjes së atdheut që kishte kuptuar se liria nuk fitohej pa luftë. Ai kishte marrë vendimin historik për të dalë në luftë. Në librin e Mehmet Hajrizit nuk ka asgjë të fryer, çdo gjë si rrëfim i ngjarjeve është i natyrshëm”.
Prend Buzhala, publicist ka thënë se përmes këtij libri është treguar një pjesë kyçe e historisë shqiptare.
“Dëshmori Naser Hajrizi është shembull i një të riu që e donte atdheun. Ai është bir i atdheut. Ata nuk i kanë ikur orës së rrezikut por i kanë paraprirë me gjoksin përpara. Përkufizimi “Bir i Atdheut” personifikon njerëzit që flasin të vërtetën, personifikon ata që e deshën atdheun pa kushte, pa masë”.
Ndërsa, artisti Avdi Gërvalla, ka interpretuar disa poezi në nder të dëshmorit Hajriz, “Shqipja e furtunës”, “Pranverë në plagë”.
Drejtori i shtëpisë botuese “Libri Shkollor”, Bajram Shatri, ka thënë se nuk do të mund të përshkruante më mirë veprën e dëshmorit Naser Hajrizi, se sa vetë ky autor, raporton EO.
“Ai e përfaqëson gjeneratën e demonstratave të 81-ës, në ballë të tyre, Naser Hajrizi u vra nga dora gjakatare. Naser Hajrizi ishte njohës i mirë i historisë shqiptare, i ngjarjeve të Kosovës, pjesëmarrës aktiv i demonstratave të vitit 81”.
Autori i librit, Mehmet Hajrizi, ka thënë se frymëzimi për të shkruar “Bir i Atdheut”, i ka ardhur nga vrulli i të rinjve të Lëvizjes Kombëtare të asaj kohe.
“Motivi kryesor, ajo që më ka frymëzuar është vrulli i të rinjve të lëvizjes kombëtare, përfaqësues i cili ishte edhe Naser Hajrizi, ndër dëshmorët më të rinjtë në kryengritjen e vitit 1981. Këta të rinj hynin në valët e trazuara të sistemit dhe formonin shpejt personalitetin e tyre, edukoheshin, kaliteshin e piqeshin para kohe dhe 1981 i gjeti ata me pjekurinë e të rriturit. Ky ishte ai kapital, forcë goditëse e kryengritjes së 1981”.
Një pjesë e librit, ndërkaq, përmbledh kujtime për dëshmorin, nga bashkëveprimtarë të tij, shokë dhe të afërm.
Autor i librit është veprimtari i njohur të çështjes kombëtare, një nga drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës në vitet ’70-’80-të të shekullit të kaluar dhe ish i burgosur politik, Mehmet Hajrizi. Të pranishëm ishin edhe figura politike, si Jakup Krasniqi, Albin Kurti, Azem Syla.