Pronarë të dhjetëra kioskave që janë të vendosura në rrugën kryesore të qytetit të Podujevës “Zahir Pajaziti”, nuk po pajtohen me vendimin e Drejtorisë së Inspektoratit për t’i larguar këto objekte nga hapësira publike.
Ata thonë se komuna nuk ka kurrfarë të drejte për t’ua hequr këto kioske, pasi para gjashtë vjetësh i kishin shkëputur kontratat me të, kur Gjykata Supreme kishte marrë vendim që hapësira ku është ndërtuar objekti që ishte i dedikuar për Shtëpi të Kulturës (që gjendet prapa kioskave) i takon një pronari privat, shkruan sot “Koha Ditore”.
Prej atëherë ata thonë si qiranë ia kanë paguar këtij personi privat dhe jo komunës. Besim Kastrati thotë se për kioskën ku punon si këpucëtar në rrugën “Zahir Pajaziti” e ka vendimin prej vitit 1994.
Sipas tij, me vendimin e Komunës do të pajtohej sikur t’u bënte një zgjidhje tjetër se ku ta vendoste këtë kioskë.