Pronari i gjigantit të Rumanisë në futboll, Steaua Bukuresht, është i bindur se është “kundër natyrës njerëzore” dhe “shumë e rrezikshme” që femrat të luajnë futboll.
George Gigi Becali ka kërcënuar se do të largohet përjetësisht nga futbolli, nëse do të obligohet nga Federata e Futbollit të Rumanisë apo UEFA që ta krijojë ekipin e femrave të Steaua Bukureshtit. Becali ishte anëtar i Parlamentit të Rumanisë, por dha dorëheqjen nga ky post për shkak të fyerjeve raciste, seksiste dhe homofobike që i kishte bërë. Ai në një intervistë për mediumet rumune ka insistuar se gjërat nuk mund të bëhen kundër dëshirës së Zotit, duke aluduar në formimin e ekipit të femrave.
“Do të tërhiqem tërësisht nga futbolli. Themelimi i ekipit të femrave është ide djallëzore. Femra nuk mund të luajë futboll dhe ky sport nuk është për këtë gjini”, është shprehur Becali. “Trupi i femrës nuk është i ndërtuar për futboll. Futbolli është i rrezikshëm për femrat, që janë krijuar për të qenë të bukura dhe tërheqëse për gjininë e kundërt”.
Gjithashtu, Becali ka shtuar se krahas futbollit, femra nuk duhet të lejohet as të boksojë. Sipas tij, të gjitha sportet që janë agresive nuk i takojnë botës së femrave.
“Ne po ndikojmë për të keq të femrat, duke i lejuar që të luajnë futboll dhe të boksojnë. Ato duhet të luajnë hendboll, volejboll dhe basketboll. Këto janë sportet e tyre, jo sportet e tjera agresive”, ka shtuar Becali. “Unë asnjëherë nuk do ta formoj ekipin e femrave të Steauas. Edhe nëse më detyrojnë, jam në gjendje të largohem tërësisht nga futbolli. Nuk do t’i ndryshoj asnjëherë qëndrimet e mia karshi kësaj ideje dhe do të ishte mirë që edhe të tjerët të ndajnë të njëjtin mendim me mua”.