Moszbatimi nga Serbia i marrëveshjeve të arritura po i kushton Kosovës miliona euro çdo vit.
Vetëm prej moszbatimit të Marrëveshjes për energjinë, KOSTT-i çdo vit humb miliona euro, ndërsa, duke mos pasur një kompani që arkëton shpenzimet e energjisë në veri të vendit, Kosova po detyrohet që të tërheqë energji në mënyrë të paautorizuar nga Rrjeti Energjetik i Evropës Kontinentale (ENSTO-E), shkruan sot “Koha Ditore”.
Institucionet e vendit kanë dështuar për vite me radhë ta bindin shtetin serb që t’i respektojë marrëveshjet që vetë i ka nënshkruar. E për këtë, njohësit e fushës së ekonomisë kanë një propozim.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se dëmet direkte për veriun, që i shkaktohen Kosovës, janë rreth 30 milionë euro ne vit. Më tepër se kaq, sipas tij, janë dëmet indirekte, siç është pamundësia e vënies në funksion të linjës interkonektive 400 Kv me Shqipërinë.
Për ta detyruar Serbinë që t’u bindet ujdive të nënshkruara në Bruksel, ai propozon taksë për energjinë, për çdo produkt që importohet nga ky shtet.