Ideja e ndryshimit të kufirit, sipas së cilës Kosova merr territor të ri, por nuk jep asgjë, nuk ka logjikë, ka deklaruar ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Këto komente, ai i bëri gjatë një debati për dialogun me Serbinë, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.
Aty, përveç Fatmir Sejdiut, panelistë ishin disa prej politikanëve të Kosovës që kanë qenë pjesë e negociatave gjatë procesit të bisedimeve për definimin e statusit të Kosovës në Vjenë, si ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe ish-zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
Panelistët thanë se Prishtina duhet ta ketë një platformë dhe një unitet politik për fazën e ardhshme të bisedimeve me Serbinë.
Ish-presidenti Fatmir Sejdiu tha se kjo është një fazë e ndjeshme dhe kërkoi që përfaqësimi i Kosovës në dialog të ketë mandat nga Kushtetuta dhe Kuvendi.
Ai e cilësoi si jo të logjikshme idenë e ndryshimit apo siç po prezantohet nga presidenti aktual Hashim Thaçi, të korrigjimit të kufirit.
“Cila është esenca e asaj ideje që po marrim dhe korrigjojmë territore, po marrim pjesë nga vendi tjetër dhe s’po japim asgjë. Po flas me një logjikë që mund të pyes secili njeri i zakonshëm”, tha Sejdiu.
Në anën tjetër, ish-zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ngriti nevojën për unitet brenda faktorit politik kosovar në bisedimet me Serbinë. Ai tha se procesi i bisedimeve duhet t’i ketë garancitë e bashkësisë ndërkombëtare se kjo do të jetë marrëveshja e fundit me Serbinë.
“Frika ime më e madhe është frika pas dialogut. Unë po e them me sinqeritetin më të madh, ne edhe atëherë kemi menduar se kjo është marrëveshja finale me Serbinë (bisedimet për dialogun në Vjenë). Duhet kërkuar garanci shumë të forta nga partnerët ndërkombëtarë se a do të jetë kjo marrëveshja finale”.
“Imagjinoni nëse ne e bëjmë një marrëveshje dhe pastaj prapë nuk kalon në Këshill të Sigurimit, prapë nuk ndodh diçka, atëherë ku është finalja tjetër”, theksoi Kuçi.
Sa i përket idesë së ndryshimit të kufijve, Kuçi theksoi se secila ide që buron nga udhëheqësit politikë, do të duhej të sqarohej në detaje në mënyrë që të shihen limitet kushtetuese të zbatimit të saj.
Përderisa mungon pajtueshmëria në Kosovë për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe kontestohet roli prijës i presidentit Thaçi në këtë dialog, kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Nisma Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, tha se askush nuk ka të drejtë të bisedojë për ndryshim të kufijve, demarkacion apo bashkim të ndonjë hapësire tjetër me Kosovën.
“Shikoni është shumë e këndshme të thuash se dua t’ia bashkoj Kosovës, Kosovën Lindore, Preshevën, Mevdegjën dhe Bujanocin. Shikoni, është një mashtrim që iu bëhet qytetarëve që janë andej, por edhe këtyre këndej. Do të thotë kjo Serbia nuk po të njeh pa atë pjesë, e jo ti do t’ia marrësh atë pjesë e t’i normalizosh marrëdhëniet, kjo vërtet është pak fyerje e inteligjencës”, tha Krasniqi.
Prishtina dhe Beogradi po hyjnë në fazën finale të bisedimeve me synimin që të arrijnë një marrëveshje të obligueshme ndërkombëtare për të dy shtetet. Nisur nga ky fakt, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se aty do të shtrojë edhe çështjen e korrigjimit, siç e quan ai, të kufirit të Kosovës, me përfshirjen e tri komunave në Serbi, por që kanë popullatë shqiptare, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
Sidoqoftë, kjo ide tash për tash nuk ka gjetur mbështetjen e pjesës më të madhe të spektrit politik në Kosovë.