Protesta e një pjese të banorëve të lagjes “Kodra e Diellit”, kundër prishjes së gjelbërimit në zonën e tyre të banimit, ka bërë që “Termokosi”, të vazhdojë me hapjen e kanalit jashtë kësaj zone.
Liman Jashanica, njëri nga banorët që jeton në shumëkatëshen përbri së cilës “Termokos” po e shtrin rrjetin ka thënë se ai dhe fqinjët e tij kanë qenë të vendosur që me çdo formë të kundërshtojnë prishjen e gjelbërimit, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Ne i kemi mbjellë vetë këto pisha, këtë gjelbërim i cili është shpëtim për shëndetin tonë dhe nuk do të lejojmë që ai të shkatërrohet kështu”, ka thënë Jashanica.
Ai ka theksuar se të gjithë banorët e pallatit kishin dalë në rrugë, duke ua bërë me dije punëtorëve që po kryenin punimet, se nuk do të largohen prej aty pa u ndërprerë ato.
Sipas tij, pastaj me banorët janë takuar përfaqësues të “Termokosit”, me të cilët ishin darkorduar që kanali për futjen e gypave të ngrohjes të hapej nëpër trotuare, e jo para dritareve të banesave, ku ishte mbjellë gjelbërim.
Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Termokos”, Naser Canolli, ka thënë për “Kohën Ditore” se hapja e kanaleve për projektin e “Termokosit” nuk nënkupton zgjerim të rrjetit, por ofrimin e ngrohjes më cilësore për banorët e lagjes “Kodra e Diellit”