Protesta masive edhe në Shkodër, i vihet zjarri selisë së PS-së

Prishtinë | 12 Dhj 2020 | 14:17 | Nga Ekonomia Online

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) u detyruan të hedhin gaz lotsjellës për të shpërndarë një protestë që nisi në mesditën në Shkodër ku dhjetëra të rinj mësynë selinë e Partisë Socialiste duke nxjerrë jashtë të gjitha orenditë e duke u vënë flakën në mes të rrugës.

Mësyrja ka ndodhur pak pasi qindra qytetarë të Shkodrës nisën protestat për vrasjen nga policia të 25-vjeçarit Klodian Rasha.

Sulmi u krye kryesisht nga minorenë, ndërsa për rreth 30 minuta në asnjë moment nuk ka pasur ndërhyrje të forcave të policisë për t’i ndaluar.

Selia e Partisë Socialiste ndodhet në rrugën “Vilson”, përballë Poliklinikës Shëndetësore të qytetit. Flakët nxitën tym dhe rrezikuan të dilnin nga kontrolli duke vënë seriozisht në rrezik edhe mjediset e poliklinikës. Fatmirësisht ndërhyrja e zjarrfikësve mënjanoi gjithçka.

Drejtuesi i shtabit elektoral të Partisë Socialiste për qarkun e Shkodrës, Ilir Beqja komentoi për Euronews Albania situatën duke akuzuar drejtuesit e opozitës, Presidentin Ilir Meta dhe kryetaren e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademin.

“Kjo nuk është Shkodra, do doja nga qytetarët të mbajnë qetësinë dhe t’i lëmë organet e rendit të bëjnë detyrën,” – tha Beqja ndërsa shtoi se, “dihet prej ditësh se kush janë në krye të protestës, përgjegjës janë katër persona që përpiqen të djegin Shqipërinë, Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, por sot në Shkodër janë edhe Voltana Ademi”.

Beqja tha se pas kësaj ngjarjeje, asnjë nga protestat nuk lidhet më me vrasjen e Klodian Rashës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme