Kryeqyteti i Algjerisë është pushtuar nga numri më i madh i protestuesve në dhjetë vjetët e fundit për shkak të protestave masive kundër presidentit Abdelaziz Bouteflika, i cili po synon ta marrë mandatin e pestë në këtë pozitë pas qëndrimit për 20 vjet në pushtet.
Studentët kanë paralajmëruar se do t’i vazhdojnë protestat edhe gjatë ditës së martë, ndonëse ato kanë filluar të premten e kaluar, kur dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugët e qyteteve dhe fshatrave në tërë vendin, përfshirë kryeqytetin Algjer.
Organizimi i protestave është gjë e rrallë në Algjeri sepse autoritetet e kanë ndaluar mbajtjen e tyre që nga viti 2001. Policia u detyrua të përdorë gaz lotsjellës dhe topa uji për ta shpërndarë turmën e protestuesve. Gazetarët e radios shtetërore janë ankuar se autoritetet e kanë bllokuar qasjen e medieve.
Presidenti tashmë 81-vjeçar ka qenë në pushtet që nga viti 1999, ndërsa kohëve të fundit është përballur me probleme shëndetësore. Ai kishte pësuar sulm në zemër në vitin 2013 dhe prej asaj kohe ka dalë shumë rrallë para publikut, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.