“Protesta në vetura” e thirrur nga partia e së djathtës ekstreme Vox në Spanjë si protestë kundër qeverisë dhe mënyrës se si e ka menaxhuar pandeminë, bëri që rrugët e Madridit dhe disa qyteteve tjera të mbushen me vetura dhe bori, raporton The Guardian.
Vox, partia e tretë më e madhe në parlamentin spanjoll, dëshiron që qeveria e koalicionit e udhëhequr nga socialistët të japë dorëheqje, dhe i bëri thirrje popullit të hipin në vetura dhe të krijojnë një karavan. Për të kufizuar infektimet, pjesëmarrësit u këshilluan të mos dalin nga veturat dhe të mbajnë maskat.
Vox ka akuzuar kryeministrin Pedro Sanchez për masa të rrepta ndaj virusit, i cili ka shkaktuar vdekjen e 28,628 njerëzve dhe ka infektuar 234,824 tjerë. Kjo parti thotë se përgjigja e qeverisë ndaj kësaj situate ka rezultuar në ”papunësi dhe mjerim”.
Vox nuk ishin të vetmit që dolën në rrugët e Madridit të shtunën.
Anëtarët e partisë komuniste u mblodhën tek Puerta del Sol për të bërë thirrje për një plan emergjent social, për të zvogëluar ndikimin e gjendjes emergjente tek më të varfrit.
Protestuesit që mbanin maska dhe i përmbaheshin rregullave të distancimit fizik, mbajtën pankarta ku kërkohej “punë, të drejta, dhe plan urgjent social” si dhe thirrje kundër privatizimit të shërbimeve shëndetësore.
Kufizimet e lëvizjes në Spanjë, të urdhëruara pasi që u deklarua gjendja emergjente më 14 mars, gradualisht janë duke u lehtësuar, dhe të hënën të gjitha pjesët e shtetit do të dalin në fazën e dytë të lirimit të kufizimeve.
Zgjatja dy javore e gjendjes emergjente në shtet u fitua me mund nga qeveria, dhe protestat gjatë natës kundër karantinës janë shpërndarë nga lagjet e pasura të Madridit në rajone tjera të Spanjës.