Protesta të shumta të kundërshtarëve të masave kundër Coronës në Gjermani

Prishtinë | 04 Jan 2022 | 09:34 | Nga Ekonomia Online

Në shumë qytete të Gjermanisë janë mbldhur dhjetëra mijëra kundërshtarë të masave kufizuese për shkak të pandemisë Corona. Protesta dhe incidente sporadike ka pasur në shumë qytete.

Kritikët e masave të shtetit kundër pandemisë Corona kanë dalë sërish në rrugë, në shumë qytete të Gjermanisë. Një numër veçanërisht i madh i protestuesve është regjistruar në lindje të vendit.

Në Mecklenburg-Pomerani kanë protestuar sipas një zëdhënësi të policisë, rreth 12.000 njerëz në më shumë se 20 qytete. Ata kanë marrë pjesë në shëtitje, tubime dhe marshime të heshtura, si dhe në tubime të cilat nuk kanë pasur lejen e autoriteteve. Në Rostock, disa njerëz u përpoqën të ndryshojnë rrugën e

planifikuar të demonstratave dhe të thyejnë barrierat e policisë. Kjo është evituar me përdorimin e “dhunës së thjeshtë fizike”dhe shkopinjve, kumtuan njësitë policore. Në disa vende ka pasur edhe kundër-tubime.

Në Tyringji sipas të dhënave zyrtare kanë protestuar rreth 16.000 njerëz kundër masave kufizuese. Autoritetet njoftojnë se në disa vende janë shënuar incidente të vogla, por pa pasoja serioze. Në të gjitha protestat bëhej fjalë për të ashtuquajturat “shëtitje” – të cilat nuk ishin lajmëruar më parë.

Mijëra njerëz kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me masat kufizuese edhe në Saksoni. Në Dresden dhe Leipzig është dashur të ndërhyjë policia për të shpërndarë grumbullimet e mbajtura pa leje. Policia në Leipzig është dashur të ndërhyjë edhe për të ndarë demonstruesit dhe kundër-demonstruesit, për shkak se kërcënonte mundësia e përleshjeve. Në Lichtenstein afër Zwickau,janë sulmuar edhe pjesëtarët e policisë – 14 prej tyre janë lënduar. “Një person ka tentuar t’ia marrë armën një polici, ndërsa një polic tjetër është kafshuar gjatë përpjekjeve për të shpërndarë demonstruesit”, bën të ditur përfaqësuesit e policisë.

Policia në Magdeburg në Saksoni-Anhalt raportoi për sulme të shumta kundër policisë me gurë, piroteknikë, shishe dhe mjete të tjera. Deri tani nuk ka të dhëna për të lënduar. Protesta ka pasur edhe në Brandenburg. Aleanca “Potsdami tregon ngjyrat e shumta” ka bërë thirrje që qyteti të mos lejohet të bie në duart e kundërshtarëve të masave.

Qindra kritikë të masave në Berlin kanë protestuar kundër masave kufizuese para studios së Televizionit të Dytë Gjerman (ZDF). Ata kanë hedhur edhe parulla “shtypi gënjeshtar”. Shoqata Gjermane e Gazetarëve kumtoi në Twitter se bëhej fjalë për një “pakicë të vogël radikale të kundërshtarëve të vaksinave, mohuesve të Coronës, urrejtësve të medias dhe antidemokratëve”.

Një sërë demonstratash u zhvilluan edhe në shtetet perëndimore të Gjermanisë. Vetëm në Nuremberg në Bavari u mblodhën 4000 njerëz – dukshëm më shumë se sa pritej. Protestat kanë kaluar të qeta dhe “pa probleme”, thuhet. Protesta

të vogla dhe kryesisht të qeta ka pasur edhe në landin Renania Veriore Vestfalia dhe disa rajone të tjera.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme