Delegacioni i Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Shqipërinë dhe raportuesi i përhershëm i shtetit shqiptar kanë shprehur shqetësimin e thellë për protestat.
Ata dënuan përshkallëzimin e dhunshëm të protestave, sulmet ndaj institucioneve dhe dëmtimin e pronës publike e private, duke u bërë thirrje protestuesve për vetëpërmbajtje.
Njëkohësisht, delegacioni ka shprehur shqetësim për raportimet mbi përdorimin e tepruar të forcës policore dhe kërkuan hetimin e çdo rasti dhune për të përcaktuar përgjegjësitë individuale, shkruan Tv Klan, transmeton Klankosova.tv.
Ata theksuan se liria e tubimit dhe e shprehjes paqësore është një e drejtë themelore, veçanërisht për të rinjtë që kërkojnë të shprehin shqetësimet për të ardhmen e tyre.
Në përfundim, Delegacioni i Parlamentit Evropian bën thirrje për dialog konstruktiv mes palëve, duke nënvizuar se respektimi i shtetit të së drejtës mbetet kusht thelbësor për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Deklarata e Delegacionit të Parlamentit Evropian:
Në emër të Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Shqipërinë dhe si raportues i përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, shprehim shqetësimin tonë të thellë për ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në vend, dhe në veçanti në Tiranë.
Ne dënojmë përshkallëzimin e dhunshëm të këtyre protestave, sulmet ndaj institucioneve publike dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. U bëjmë thirrje protestuesve të ushtrojnë vetëpërmbajtje maksimale dhe të përmbahen nga çdo akt dhune, pasi ato nuk kontribuojnë në një zgjidhje dhe nuk kanë vend në demokraci.
Gjithashtu shprehim shqetësim serioz në lidhje me raportet për përdorim të tepruar të forcës policore kundër protestuesve. U bëjmë thirrje autoriteteve të përdorin përmbajtje. Gjithashtu u bëjmë thirrje organeve përkatëse të bëjnë çmos për të përcaktuar përgjegjësinë individuale për çdo akt dhune, përfshirë përdorimin e tepruar të forcës.
Ne nënvizojmë se e drejta e lirisë së tubimit dhe shprehjes paqësore gëzon mbrojtje si nga Karta e BE-së për të Drejtat Themelore ashtu edhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Protestuesit – në këtë rast, të rinjtë – kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre, veçanërisht për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e tyre. Prandaj, ne i nxisim autoritetet të mbrojnë ushtrimin e lirisë së tubimit, duke përfshirë edhe protestën paqësore.
Ne bëjmë thirrje për një dialog paqësor, konstruktiv dhe të sinqertë midis të gjitha palëve të interesuara, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje kuptimplote për të adresuar çdo ankesë të shprehur nga protestuesit, në përputhje me ligjet shqiptare dhe standardet evropiane. Respekti për sundimin e ligjit mbetet kriteri kryesor dhe kushti i detyrueshëm për përparimin e Shqipërisë në rrugën e saj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.