Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dega në Drenas, ka njoftuar që të hënën do të protestojnë në shenje pakënaqësie për dënimet e fundit të komandantëve dhe ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tyre, këto dënime tentojnë që ta ulin vlerën e luftës çlirimtare, mundin dhe sakrificën e gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës, gjithë ushtareve që sakrifikuan jetën e tyre për të mbrojtur pragun e shtëpisë.
“Protesta mbahet në sheshin “Fehmi Lladrovci”, duke filluar nga ora 12:00. Eja edhe ti, t’i mbrojmë vlerat e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ta mbrojmë amanetin e dëshmoreve dhe gjakun e derdhur për liri”, thuhet në një njoftim për media.
Gjykata e Apelit ka vërtetuar të hënën aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë të datës 27 maj të vitit të kaluar duke mbajtur në burg të gjithë të dënuarit në rastin e njohur si “Drenica 2”.
Sylejman Selimit ia kanë ulur një vit burg në 7 nga 8 sa është dënuar, ndërsa Isni Thaqit nga 7 vite sa është dënuar nga Gjykata Themelore i është zbritur dënimi në 6 vite e 6 muaj. Ndërsa, Zeqir e Jahir Demakut nga 7 vjet në 6 vjet.
Insajderi ka raportuar se Gjykata e Apelit ka konfirmuar dënimin me burg edhe për Sami Lushtakun.
Këto vendime të gjykatës kanë nxitur reagim të ashpër nga disa prej deputetëve të Kosovës, të cilët kanë qenë pjesë e UÇK-së ndërsa Kuvendi i Kosovës ka mbajtur edhe një seancë të jashtëzakonshme ku u diskutua për vlerat e UÇK-së.
Por, një gjë e tillë është parë si ndërhyrje nga bashkësia ndërkombëtare dhe disa organizata të shoqërisë civile.