Protestë masive në Madrid kundër bisedimeve me separatistët

Prishtinë | 10 Shk 2019 | 14:26 | Nga Ekonomia Online

Dhjetëra mijëra protestues kanë marrë pjesë sot në një protestë masive në Madrid, e cila është organizuar nga partitë e qendrës së djathtë, të cilat po e kundështojnë planin e qeverisë spanjolle për t’i ulur tensionet në rajonin e Katalonisë përmes negociatave.

Protesta është organizuar nga Partia Popullore dhe partia “Qytetarët”, të cilat reaguan pasi kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ua mundësoi separatistëve katalanë një rund bisedimesh për zgjidhjen e çështjes së tyre.

Partitë djathtiste po e vlerësojnë këtë ofertë të kryeministrit spanjoll si tradhti dhe dorëzim para kërkesave të separatistëve. Megjithatë, përfaqësuesit e separatistëve e kanë refuzuar ofertën e qeverisë.

Protestuesit e kanë mbushur sheshin në qendër të Madridit dhe rrugët afër tij, duke brohoritur “Jetë të gjatë, Spanjë”. Policia ka raportuar se në këtë protestë po marrin pjesë rreth 45 mijë protestues.

Një protestues ka thënë se kryeministri Sanchez është duke e tradhtuar Spanjën dhe se spanjollët e meritojnë një kryeministër më të mirë. Udhëheqësi i Partisë Popullore, Pablo Casado, ka thënë se politikat e Sanchezit janë dorëzim socialist dhe marrëveshje nën tavolinë, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Të ngjashme