Rreth 1,500 persona kanë protestuar sot në Nish të Serbisë kundër ndryshimit të pronësisë së aroportit “Konstandini i Madh”. Autoritetet në Serbi duan që ky aeroport të kalojë nga pronësia komunale në atë shtetërore.
Protestuesit kanë kërkuar shkarkimin e kryetarit të qytetit, i cili vjen nga Partia Progresive e presidentit, Aleksandar Vuçiq.
Ndërkaq, kuvendi komunal në Nish ka shtyrë votimin për propozimin e autoriteteve lokale, që pronësia e aeroportit t’i kalojë shtetit.
Këshilli i qytetit kishte miratuar propozimin më 30 mars, ku thuhej se shtetit “do të ndihmojë që aeroporti të bëhet ekonomikisht më i fuqishëm dhe të fitojë një pozitë më të mirë në treg”. Por, kjo lëvizje ka nxitur një valë të protestave.
Aeroporti në Nish është aerporti më i afërt për banorët në lindje dhe jug të Serbisë. Vitin e kaluar, mbi 330 mijë persona kishin shfrytëzuar këtë aeroport për të udhëtuar në 11 destinacione të ndryshme.