Vuçiq: Nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës

Prishtinë | 15 Maj 2022 | 16:37 | Nga Ekonomia Online

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës dhe se do t’u përmbahet qëndrimeve të vendeve të G7-ës, të cilat theksuan se nuk do të lejojnë cenimin e integritetit territorial të Ukrainës me asnjë kusht.

Vuçiq tha gjithashtu se udhëheqja e shtetit serb do të bëjë gjithçka që të mos ketë krizë për ushqim dhe gjëra te tjera elementare për shkak të situatës së krijuar ndër muajsh në Ukrainë.

“Do të bëjmë gjithçka që të kemi karburant të mjaftueshëm, energji elektrike, gjithçka për një jetë të denjë, për ta çuar vendin përpara dhe për të siguruar rritje të mjaftueshme për të ngritur pagat dhe pensionet”, tha ai.

Ai po ashtu tha se ende nuk e di se kush do të jetë i mandatuar për kryeministër të qeverisë së re.

“Gjërat që po dëgjoni nuk do të ndodhin. Sepse vendosim ne, as amerikanët, as rusët për qytetarët e Serbisë”.

Vuçiq tha se deklarata e ministrave të vendeve të G7-ës nga të cilat u bëhet thirrje vendeve përreth që t’i bashkohen politikës së BE-së, është vetëm për Serbinë.

“Bosnja dhe Hercegovina vendosi sanksione ndaj Rusisë, kështu që ne jemi të vetmit që nuk e bëmë këtë. Kështu që deklarata për Ballkanin Perëndimor është vetëm për Serbinë”, shtoi ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme