Aktivistet nga grupi Feminizmi Shqiptar, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), Grupi i Grave Asambliste nga Komuna e Gjakovës si dhe individ e aktivistë nga shoqëria civile, të bashkuar organizojnë protestojmë kundër dhunës së ushtruar ndaj një vajze të mitur, nga komuna e Rahovecit në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Vajza, është goditur me shqelma dhe është zvarritur pranë grilave të oborrit të shkollës së mesme “12 maji” nga xhaxhai i saj, njëkohësisht edhe profesor në këtë shkollë, e më pas së bashku me dy persona të tjerë është bartur drejt makinës, pasi që siç shihej në një video të shpërndarë në internet vajza nuk ishte në gjendje të ecte.
Për ta bërë edhe më të rëndë këtë situatë, zyrtarët nga stacioni policor në Rahovec, u deklaruan se “dhënia e disa shuplakave vajzës e cila vetëm për muajin shtator ka bërë 41 mungesa në shkollë, nuk duhet ekzagjeruar deri në këtë masë”, ndërsa drejtori i shkollës ku vajza po vijonte mësimin dhe ku fare pranë ndodhi kjo ngjarje, u deklarua se shkolla nuk ka përgjegjësi të ndërhyj në raportet familjare.
E gjithë kjo ka dëshmuar edhe një herë se në Kosovë dhuna në familje mbetet një prej shqetësimeve më të mëdha të shoqërisë sonë.
Gjithashtu, institucionet e arsimit, në këtë rast shkolla nuk ka treguar seriozitet duke mos mbajtur përgjegjësi për dhunën e ushtruar nga një profesor. Ky institucion, përfshirë Policinë e Kosovës, konsiderojnë se dhuna e ushtruar ndaj vajzës është çështje personale që “u takon vetëm familjarëve”.
Mentaliteti i shoqërisë kosovare ndër vite, ka pranuar përdorimin e dhunës në familje si formë edukimi dhe disipline ndaj fëmiut.
Jo vetëm në familje, por përdorimi i dhunës dihet se ka qenë pjesë e mënyrës së mësimdhënies, rregullimit të rendit të ditës nëpër klasa, e në shumë raste edhe një përpjekje për përmirësimin e sjelljeve të nxënësve. Fatkeqësisht, kjo dukuri po vazhdon të ndodhë edhe sot.
Prandaj, përmes kësaj proteste këto shoqata kërkojnë ta ndalojmë dhunën dhe t’u themi të gjitha institucioneve në Kosovë dhe shoqërisë kosovare kundërshtimin tonë me një fjali të vetme: Mjaft më me arsyetime!
“Përmes kësaj proteste kërkojmë drejtësi për këtë dhe shumë raste të tjera të dhunës në Kosovë, përfshirë ndaj vajzave e djemve, burrave dhe grave. Përmes protestës, kërkojmë nga institucionet që të ushtrojnë detyrën e tyre me profesionalizëm dhe gjithashtu ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që janë dëshmitarë të dhunës ta raportojnë atë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre.”
“Dhuna nuk duhet të përdoret si formë edukimi apo disipline! Dhuna është krim! Ejani të protestojmë së bashku!”, thuhet në njoftim.