Gjatë ditës së sotme është protestuar para Gjykatës së Rahovecit për të kërkuar vdekjen e Antigona Morinës.
Antigona vdiq 6 vjet më parë, tri ditë pasi u martua, për shkak të hemorragjisë së vazhdueshme, e burri i saj Hilmiu nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore së ndjerës.
Për më keq, ai kishte vazhduar marrëdhënie seksuale me të.
Në deklaratën e dhënë atë kohë në Prokurori, ai kishte thënë se sipas traditës, të ndjerën e kishte dërguar te Shehu ditën e dytë të martesës.
Jeta Berisha, pjesëmarrëse në protestën e sotme, ka shkruar në Facebook nga ku ka kërkuar drejtësi për këtë rast, transmeton Ekonomia Online.
“Antigona Morina e cila vdiq nga gjakderdhja që i ishte shkaktuar gjatë marrëdhënies seksuale (përdhunim vaginal dhe anal) nga bashkëshorti, për tri ditë radhazi, në ditët e para të martesës (e konstatuar si gjakderdhje virgjërie), vazhdon të mos trajtohet nga drejtësia, ndërsa vrasësi mbetet i lirë. Viktimën, familja e bashkëshortit në vend se me dërgu në spital, e kishin pas dërgu tek një sheh për ta marr trajtimin emergjent, e ky i fundit ua kishte propozu emergjencën, e ende pa mbërri aty Antigona kishte ndërru jetë”, ka shkruar ajo.
“Familja e të ndjerës, tash 6 vite pas përballjes me padrejtësinë vazhdon të merret me çështjet ligjore, me sistemin e korruptuar, prokurorë, gjykatës e avokatë të cilët ia kanë mbajtë anën vrasësit, madje këta të fundit njihen për procese të dështuara dhe krime të rënda. Avokati mbrojtës i vrasësit qenka z. Esat Gutajt, po i njëjti avokat mbrojtës i vrasësit të së ndjerës Zejnepe Bytyqit. Ku është drejtësia për gratë e vrara?!”, ka shkruar Berisha.
Në anën tjetër, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka kërkuar pak ditë më parë kërkuar urgjentisht reagim adekuat të drejtësisë në Kosovë lidhur me rastin e të ndjerës Antigona Morina, me ç’rast dyshohet se Gjykata në Rahovec ka zhdukur ankesën e bërë nga Prokuroria pas vendimit i cili ka shpallur të pafajshëm të akuzuarin kryesor, Hilmi Zekën.