OJQ “Gratë Intelektuale të Drenicës” ka protestuar pas vrasjes së Lirije Qerimajt nga bashkëshorti në Llaushë, raporton Ekonomia Online.
Protesta ka nisur nga sheshi “Adem Jashari” në Skenderaj për të vazhduar para Gjykatës e më pas Stacionit të Policisë në këtë komunë, duke thirru “Boll më, edhe sa vrasje”, “Duam siguri”, “Qyteti është i joni, shtëpia është e jona”; “Ku me ua ankuar ne, deri kur vrasje”; “Qofte e fundit kjo vrasje; “Mos i vrisni nënat tona, mos i vrisni motrat, mos i vrisni nuset”.
Sevdije Hoxha, kryetare e Grave Intelektuale të Drenicës, aktiviste për të drejtat e grave, ka kërkuar drejtësi për vrasjen e Lirije Qerimajt.
“Kjo është një ndër rastet e fundit, dhe lus Zotin që mos të ketë raste tjera. Në emër të grave të Drenicës, kërkojmë që rasti të ekzekutohet në mënyrë më dinjitoze, dhe kërkojmë drejtësi për Lirije Qerimajn”, ka thënë ajo.
Bahtije Sejdiu, kryetare e Federatës së pensionisteve, tha se të vrasësh një gruan nuk është trimëri.
Ajo ka bërë thirre që vrasje të tilla mos të përsëriten, duke kërkuar që mos të shkatërrohen familjet e të mbesin fëmijët jetimë.
Masa rigoroze nga institucionet ka kërkuar ajo për trajtimin e këtyre rasteve.
“Mos t’i lëmë fëmijë jetimë, mos t’i shkatërrojnë familjet, dashtë Zoti që mos të përsëritet asnjë vrasje tjetër. Të vrasësh gruan nuk është trimëri”.
“Zoti i ruajt fëmijët nga tmerri që kanë parë. Zoti i dënoftë ata që kanë bërë krime. Kjo është një poshtërsi. Ndoshta do të jetë e fundit dhe do të marrin masa të gjitha institucionet, e mos të ndodhin më këso masakra, sepse na kanë tronditur të gjitha këto”.
Arbnore Fejza-Idrizi, drejtoreshë e çerdhes “Nëna Zahide” në Skenderaj, tha se vrasja e 48 vjeçares ka tronditur gjithë opinionin duke kërkuar që të dënohet kryesit e këtyre krimeve.
“Kjo është një ngjarje që na ka tronditu. Kërkojmë nga institucionet që ta marrin me përgjegjësi këto raste dhe të dënohet ata që po bëjnë krime dhe mënyra të tjera të dhunës”.
Hyra Tahiraj, drejtoresh e Shkollës Fillore “Shaban Jashari”, tha se po kërkojnë drejtësi për vrasjen e një gruaje të pafajshme, që nuk gëzoi përkrahje.
“Kemi dal të protestojmë për rastin kur iu shua jeta një gruaje një nënë, një motre të re Lirije Qerimajt një grua të pafajshme e cila ngriti zërin shumë herë e cila kërkoi ndihmë nga të gjithë”.
“Kërkoi ndihmë nga familja, nga institucionet mirëpo nuk iu dha përkrahja. Ajo sot nuk është, iu bashkua shumë nënave shumë grave të cilave më parë iu morr jeta në lulen e rinisë”.
Ajo tutje tha se do të jetë pikëpyetje nëse kjo do të jetë rasti i fundit përderisa institucionet i neglizhojnë këto raste, raporton EO.
“Uroj që ky të jetë rasti i fundit. Por nga përvoja nga rastet e mëparshme vërtetë jemi të zhgënjyer e të pasigurta”.
Kurse Policia ka dhënë detaje në lidhje me rastin e vrasjes.
Në sqarimin e tyre bëhet e ditur se me 1 janar kanë pranuar një rast dhune në familje në këtë fshat dhe sipas tyre, i janë përgjigjur rastit.
Në sqarimin e tyre, thuhet se edhe përkundër deklarimeve të ankueses se nuk ishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj dhe nuk ishte vërejtur ndonjë shenjë dhune tek e njëjta, njësitë policore kanë shoqëruar të gjitha palët në stacionin policor Skenderaj.
Policia tregon se i kishin ofruar viktimës që të shkojë në strehimore, por sipas tyre djali i saj kishte insistuar që ajo të qëndrojë në shtëpi, dhe kishte thënë se s’do t’i lejojë prindërit të kenë probleme mes vete.
Vrasja ka ndodhur para dy ditësh në fshatin Llaushë të Skenderajt, ku një grua 48 vjeçare u vra nga bashkëshorti i saj me armë zjarri.