Një gjykatë ruse e ka dënuar, Andrei Kosykh, me katër vjet burgim, me arsyetimin se ai ka marrë pjesë në një protestë kundër qeverisë së presidentit, Vladimir Putin, më 26 mars.
Gjykata në distriktin Tver në Moskë, e ka shpallur të fajshëm, Andrei Kosykh, për shkaktim të lëndimeve trupore ndaj dy zyrtarëve policorë, gjatë mbajtjes së protestës.
Marshet kundër korrupsionit janë mbajtur në Moskë dhe 100 qytete tjera në Rusi. Këto protesta, të mbajtura më 26 mars, konsiderohen në mesin e marsheve më të mëdha kundër qeverisë së presidentit Vladimir Putin, prej valës së protestave më 2011-2012. Shumica e këtyre protestave janë mbajtur pa lejen e qeverisë.
Policia ka ndaluar më shumë se 1,000 persona në Moskë, duke përfshirë edhe liderin opozitar, Aleksei Navalny, i cili pati bërë thirrje për këto protesta.
Kosykh është pjesëmarrësi i katërt deri më tash, që është shpallur fajtor, për shkak të pjesëmarrjes në protesta.