Grupi i qytetarëve #Protestoj përmes aksionit simbolik ka “hapur burgun Dyz VIP” para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, për të gjithë VIP-at e politikës në vendin tonë, të cilët sipas tyre kanë dalë nga përgjimet dhe kanë bërë krime në vendin tonë.
Sipas organizatorëve të aksionit, shumë shpejtë do të futen në këtë burg VIP-të e politikës së Kosovës.
Organizatorët Hekuran Sylejmani dhe Aulonë Mehmeti thanë se asnjë deklaratë e kryeparlamentarit, Kadri Veselit dhe e askujt tjetër, nuk mund ta ndalojë protestën e nesërme, e cila është paralajmëruar nga aktivistët e #Protestoj.
Ata theksuan theksuan se të gjithë të përfshirët në përgjimet e publikuara duhet të japin përgjegjësi politike dhe penale.
“Thaçi e Veseli po mundohen ta paraqesin normale atë që e ka bërë Adem Grabovci, duke thënë se bordet u takojnë vetëm partive që janë në pushtet”, kanë thënë organizatorët e protestës.
Protesta e radhës e Grupit “#Protestoj” mbahet nesër (e martë) në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.