Disa kompani të auto-shkollave kanë mbajtur një protestë para objektit të ministrisë së Infrastrukturës, duke kërkuar që të fillojnë punën edhe ky sektor, raporton Ekonomia Online.
Xhemshit Cakolli, Kryetar i Shoqatës së Auto-shkollave, tha se kjo protestë po mbahet për të kërkuar rifillimin e punës. Cakolli tha se nuk janë përfshirë as në pjesën e tretë të lehtësimit të masave.
“Ne kemi organizuar këtë protestë për arsye se na ka neglizhuar ministria e infrastrukturës. Ju kemi bërë shkresa të shumta por ende nuk na kanë kthyer përgjigje. Ne nuk jemi përfshirë as në pjesën e tretë të lehtësimit të masave për hapjen e auto-shkollave. Ne zakonisht në pranverë kemi fluks të madh të kandidatëve të regjistruar”, tha ai.
Cakolli tha se kanë kërkuar nga ish-ministri Lumir Abdixhiku disa herë takim, mirëpo ky i fundit nuk është takuar.
“Pse të mos lejojnë të vazhdojmë aktivitetin ne auto-shkollë. Ne kemi dalë këtu që t’iu bëjmë me dije se nuk do të ndalemi derisa të merret një vendim për hapjen e auto-shkollave”, u shpreh ai.
Cakolli tregoi se humbjet janë të mëdha në secilën auto-shkolle. Ai foli edhe për mungesën e poligonit, ku tha se e kanë paguar vazhdimisht gjatë dy muajve edhe pse nuk është shfrytëzuar.
E mllefosur e me fjalë të ashpër, instruktorja Xhyla Ibrahimi, ka kërkuar që të dalë t’i takojë ministri i ri i Infrastrukturës, Armend Zemaj, raporton EO.
Ibrahimi tha se kanë bërë kërkesë, mirëpo askush nuk iu është përgjigjur. Ajo tha se iu është ndalur puna qe dy muaj dhe po presin përgjigje për këtë nga ish-ministri Abdixhiku.
Ajo tha se kërkojnë të iu dalin zot kandidatëve sepse kanë 100 kandidatë ndaj të cilëve kanë përgjegjësi