Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka mbajtur sot protestë me kërkesë për ngritjen e pagave në mënyrë lineare nga 100 euro, gjë që ka qenë edhe premtim i kryeministrit Ramush Haradinaj, raporton Ekonomia Online.
“Menaxhment a keni edhe familjar tjerë të punësohen në KEK”, “Qeveri këndellu, Kosova nuk bënë pa dritë” ishin disa nga parullat me të cilat protestuan punëtorët e KEK-ut për ngritjen e punëtorëve në mënyrë lineare prej 100 euro.
Rafet Osmanaj kryetar i Sindikatës së Re tha se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave të punëtorëve.
“Do të jemi një ze më i fuqishëm, forcë kohezive dhe përfaqësuese që do ja kthej dinjitetin punëtorëve. Këtij gjiganti i dha emër dhe e fuqizoj klasa punëtore. Ju uroj që kjo protestë të na shërbej si unitet sepse vetëm të bashkuar mund ti realizojmë kërkesat”.
“Përveç kushteve të rënda që ekspozohen punëtoret, qeveria ju ka borxh të ju njihet kontributi për vitet 90-99. KEK-u mu ky menaxhment e kanë sjellë në fund të djerrinës KEK-un. Nëse ky menaxhment nuk reflekton ne do të shkojmë në forma të tjera dhe nuk do të ndalemi deri në realizimin e kërkesave tona”, tha ai.
Avni Ajdini kryetar i SBAShK-ut tha se kërkesat e tyre janë minimale dhe premtimet duhet të realizohen.
“Nuk kemi dashtë me dal, na kanë detyru. Apelojmë që sa më parë ti realizojnë premtimet. Po na detyrojnë të dalim edhe jashtë kornizave sindikale. BSPK e keni pas vete. E kërkojmë zbatimin e ligjit që punëtorët ta gëzojnë pensionin e plotë. Pa punëtorë s’ka prodhim pa ju as qeveri nuk ka”, tha ai.
Afrim Salihu përfaqësues ligjor tha se shpreson që Qeveria ti analizojë kërkesat dhe të përgjigjet pozitiv.
“Kërkesat e tyre janë legjitime, prandaj qeveria duhet t’i marrë parasysh dhe t’i realizoj ato”, tha ai në një prononcim për EO.
Nexhat LLumnica, nënkryetar i Sindikatës së Re, tha për Ekonomia Online se qeveria duhet të marrë përgjegjësi për premtimet e veta
“Qeveria ka premtuar se do të rritën rrogat e secilit punëtorë të KEK-ut në mënyrë lineare prej 100 eurove dhe kjo nuk ka ndodhë. Nëse kërkesat tona nuk merren parasysh, ne nesër kemi edhe mbledhje të këshillit, dhe do të vendosim që të shkojmë më forma të tjera të protestës, do të thotë do të hyjmë në grevë”, tha ai
Hatë Xhemajli punëtore e KEK-ut në një prononcim për EO tha se qeveria duhet të reflektoj në realizimin e kërkesave.
“Deri sa qeveria zgjanohet në kolltukët e tyre, punëtorët e KEK-ut, nuk i gëzojnë as të drejtat e tyre. Qeveria duhet të marr masa dhe kërkesat tona të realizohen”.
Kjo protestë ka mbledhur një numër të madh të punëtorëve të cilët po kërkojnë rritjen e pagave të tyre.
Protesta ka filluar nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe është ndalur në sheshin “Skënderbeu”.