Punëtorët e Lotarisë së Kosovës kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë për të kërkuar miratimin e Ligjit për Lotarinë e Kosovës dhe përmbushjen e obligimeve nga ana e Qeverisë si pronare e Lotarisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Në pankartat e tyre shkruante “Qeveria Pronare”, “Punëtorët në Rrugë” dhe “Mbajeni Premtimin, Miratojeni Ligjin”.
Anëtari i Kryesisë së Sindikatës së Lotarisë, Ismet Uka, tha se kërkojnë që sa më shpejt të bëhet votimi i Ligjit për Lotarinë.
Ai thotë se nuk do të ndalen me protesta deri në realizimin e kërkesave të tyre.
“Arsyeja që kemi dal është që të bëhet sa me shpejt votimi i ligjit. Kemi bërë kërkesa me shkrim, por askush s’na ka pranuar dhe mundësia e fundit ishte të dalim dhe të protestojmë. Prej shfuqizimit të ligjit asnjë hap nuk është ndërmarrë. Ne do të vazhdojmë me protesta, nuk do të ndalemi. Dëmet janë shumë të mëdha, prej kur është mbyll kemi obligime edhe ndaj lokaleve që i kemi pasur me qira”, tha Uka, raporton EO.
Kjo protestë është e para dhe do të vazhdohet të protestohet deri në përmbushjen e kërkesave të punëtorëve të Lotarisë së Kosovë.
Ndryshe pas ndalimit të lojërave të fatit sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e mbajtur me 28.03.2019 ku janë përfshirë edhe lojërat e lotarisë, Lotaria e Kosovës e ka ndërprerë veprimtarinë e saj. Nga ajo kohë e deri më sot nuk është marrë asnjë iniciativë për hartimin e ligjit të veçantë për Lotarinë e Kosovë, ashtu siç është premtuar.