Shoqata Sindikale e Sigurimit Fizik në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), për të tretën herë radhazi brenda këtij viti, ka mbajtur protestë për shkak të mospërmbushjes së premtimit nga pushteti për kthimin e tyre në kuadër të KEK-ut, raporton Ekonomia Online.
Ata kanë protestuar para objektit të kësaj kompanie duke kërkuar kthimin si punëtorë të KEK-ut dhe jo të tenderohen vazhdimisht siç thanë jashtëligjshëm në sektorin privat.
Këta punëtor po ashtu kanë kritikuar edhe Qeverinë e Kosovës pasi sipas tyre nuk është duke e përmbushur premtimin e dhënë tash e sa kohë.
Ata gjatë protestës kanë mbajtur edhe pankarta në duar në të cilat shkruante “ Qeveri më parë kur ishit në opozitë na thatë se kemi të drejtë, po sot!”, “Ne nuk jemi të privatizuar, jemi të huazuar për 2+1 vite!” etj.
Kryetar i Sindikatës Nexhat Llumnica, tha se më këta punëtor është bërë padrejtësi që nga viti 2004 dhe qysh nga atëherë është tenderuar jashtëligjshëm.
Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës dhe menaxhmenti i KEK-ut që këtë departament ta kthejnë në kuadër të kompanisë.
“Është bërë një padrejtësi e madhe që nga viti 2004. Ky departament është dëbuar nga KEK-u nuk është privatizuar nuk është shoqëri aksionare. Ku departament është huazuar për 2+1 vite, prandaj është dashur të kthehet në KEK, prandaj tenderimi është i jashtëligjshëm. Kjo Qeveri sa ka qenë në opozitë na ka thënë që ju keni të drejtë plotësisht, e kemi pasur mbështetjen, besojmë që edhe sot duhet ta kemi mbështetjen, që të kthehet ky departament në KEK, sepse nëse dje është tenderuar jashtëligjshme edhe sot është një gjë e tillë edhe sot nuk ka ndryshuar ligji në Kosovë prandaj edhe sot është duke u tenderuar jashtëligjshëm”, tha ai.
Kryetar i Sindikatës së Sigurimit Fizik Nexhat Murati, tha se atyre i’u është bërë padrejtësi e madhe dhe se kurrë nuk do të ndalen duke kërkuar drejtësi.
Ai tha se i kanë dhënë afat dy javë KEK-ut që të i’u përgjigjen kërkesave të tyre dhe nëse ata nuk kthejnë përgjigj kërkesave sipas tij, do të fillojnë grevën para objektit.
“Nga sot edhe dy javë i japim afat KEK-ut që të na gjej zgjidhje. Përndryshe ne kemi kërkuar leje sot në Komunën e Prishtinës do të jemi në grevë këtu para Toskanës. Nuk kemi zgjidhje tjetër edhe këto proceduat di ti ndjekim deri në fund sepse jemi në anën e dejtë dhe kërkojmë një zgjidhje sipas dokumenteve të cilat i posedojnë. Nuk do të ndalemi deri s atë realizohen kërkesat tona. Ne kemi kërkuar takim urgjent mirëpo këta nuk janë të gatshëm sepse po e mbrojnë krimin dhe korrupsionin”, tha ai.