Furnizimi i dobët me energji elektrike u bë shkak që banorët e disa fshatrave të bllokojnë qarkullimin e veturave në autostradën Pejë-Prishtinë.
Përmes një njoftimi banorët e fshatrave Cerrovik, Çabiq, Gulluovc, Pllaqicë, Mleqan, Kijevë, Llazicë dhe Bubavec, kanë bërë të ditur se do ta bllokojnë këtë rrugë për shkak të mungesës me furnizim të bollshëm me energji elektrike nga KEDS-i.
Ata thonë se energjia elektrike është aq e dobët sa drita e një qiriu.
“Do të mbajmë protestë në Autostradën Pejë-Prishtinë për të bllokuar këtë rrugë, si revoltë ndaj KEDS-it, se energjia elektrike në këto fshatra është si qiri”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se do ta zgjerojnë protestën deri në përmbushjen e kërkesave, madje paralajmëruan se protestat do t’i zgjerojnë edhe në nivel qendror. /Telegrafi/