Ministria e Infrastrukturës (MI) ka nënshkruar kontratën për projektin “e–testimi”, me kompaninë përfituese “PBC” shpk.
Në këtë kontratë parashihet kalimi i mbajtjes së provimit teorik për patentshofer nga forma manuale e deri tanishme, në atë elektronike.
Sipas kushteve të kontratës kompania përfituese e tenderit në afat prej tre muajsh nga dita e nënshkrimit të kontratës është e obliguar që të paraqesë aplikacionin e kompletuar dhe më pas të filloi me fazën e pilot-projektit, e cila fazë do të realizohet për tre muaj dhe nëse pilot projekti rezulton të jetë i suksesshëm do të bëhet shtrirja e aplikacionit në të gjitha Qendrat e Testimit.
Mirëmbajtja dhe garancioni është paraparë për një periudhë tri vjeçare. Çmimi i kontratës kap vlerën e 239 898 98 €.
Ky aplikacion do t’iu mundësojë kandidatëve të cilët i nënshtrohen provimit për patentshoferi në testimin teorik që në mënyrë elektronike (nëpërmes kompjuterit) të plotësojnë testin dhe të marrin rezultatin.
Aplikacioni do të përbehet nga një bankë e pyetjeve të cilat përzgjedhen nga vetë aplikacioni. Përmes këtij aplikacioni do të rritet cilësia e testimit, transparenca dhe efikasiteti, si në numrin e testimeve po ashtu edhe në dhënien e rezultatit.