Deklaratat debatndjellëse të Donald Trumpit nuk kanë të sosur.
Presidenti amerikan shkroi në “Twitter” se Rusia “do të përpiqet shumë për të ndihmuar demokratët” në zgjedhjet e nëntorit për Kongresin, kundër kandidatëve republikanë të favorizuar prej tij.
Duke u përpjekur të tregojë se ai vetë ka qenë shumë i ashpër kundër Moskës, shefi i Shtëpisë së Bardhë u shpreh “shumë i shqetësuar se rusët do të luftojnë fort për të ndikuar në zgjedhjet e ardhshme”.
Trump shkruante se bazuar në faktin që asnjë President nuk ka qenë më i ashpër ndaj Rusisë se ai, “kjo e fundit do të luftojë shumë në favor të demokratëve. Ata në asnjë mënyrë nuk e duan Trumpin!”.
Deklaratat e tij se Moska do të favorizonte demokratët në zgjedhjet e 6 nëntorit për Kongresin, bien në kundërshtim me përfundimet e komunitetit të zbulimit amerikan se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të 2016-s për të ndihmuar pikërisht kandidatin republikan të fitonte Shtëpinë e Bardhë.
Në samitin e javës së shkuar në Helsinki me Vladimir Putin, Presidenti Trump duket se mbështeti mohimin e udhëheqësit rus që Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhje dhe ia kundërvuri deklaratën e Putinit përfundimeve të zbulimit amerikan që thotë se Moska kishte ndërhyrë.
Por pasi mbërriti në Uashington, ai e ktheu sërish pllakën e tha se mbështeste zyrtarët e tij të inteligjencës dhe përfundimin e tyre, shpesh duke i shtuar kësaj deklaratën e tij të zakonshme se fushata e tij nuk bashkëpunoi në mënyrë të fshehtë me rusët dhe se ndërhyrja ruse nuk pati efekt në rezultatin e zgjedhjeve.