Gjatë debatit për çështjen e 21 janarit dhe mos vendosjen e drejtësisë për 4 viktimat në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kreu i Grupit të Partisë Socialiste (PS), Taulant Balla në studion e “Open” deklaroi se askush nuk duhet të zhgënjehet pasi drejtësia e re do t’i vendosë pas hekurave përgjegjësit.
Por gazetarët në studio i kujtuan Ballës se motivi kryesor që e nxori PS-në opozitare në shesh në këtë datë tragjike, ishte Ilir Meta dhe qeveria Rama jo vetëm që nuk u kujdes për ta dënuar atë, por e zgjodhi me votat e veta në krye të shtetit shqiptar.
I vendosur me shpatulla pas muri për konstatimin në fjalë, Balla tha se Partia Socialiste do ta padisë shumë shpejt Presidentin Ilir Meta.
Ai madje kujtoi një shembull rumun, ku kreu i shtetit u përgjigj para drejtësisë për një çështje, plot 28 vite pasi kishte urdhëruar atë.