Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se mazhoranca do të kërkojë shkarkimin e nënkryetarit të Kuvendit, Edi Paloka, për sulmin me bojë ndaj kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme plenare.
“Më lejoni t’ju them që grupi parlamentar i PS nuk mund të tolerojë më që në pozicion e nënkryetarit të Kuvendit për pozicionin që i takon opozitës të lejojë të vazhdojë të jetë zoti Paloka. Në seancën e ardhshme ne do të depozitojmë kërkesën për shkarkimin e zotit Paloka nga posti i nënkryetarit të Kuvendit”, tha Balla në një prononcim për gazetarët jashtë sallës së Kuvendit.
“Nuk i takonte Shqipërisë dhe shqiptarëve ky turp që i shkaktuan imazhit të Shqipërisë po të kemi parasysh rolin shumë të rëndësishëm që ka Shqipëria në rajon dhe marrëdhënien e veçantë me Maqedoninë”, tha Balla.