“Venecia”, Balla nga Strasburgu: Meta shkeli të drejtën për t’u zgjedhur

Prishtinë | 11 Tet 2019 | 12:49 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ndodhet në Strasburg ku po merr pjesë në seancën plenare të Komisionit të Venecias dhe ku pritet të dalë opinioni përfundimtar mbi vendimin e presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale.

“Draft-opinioni është i plotë dhe analiza është shumë profesionale”, ka deklaruar ai.

Balla ka thënë se ka “disa propozime për amendimin e raportit”, derisa ka kritikuar Ilir Metën për shkelje të të drejtave themelore.

“Presidenti i Republikës nuk ka bërë asnjë përpjekje për dialog mes partive. Shkeli të drejtën themelore, të drejtën për t’u zgjedhur”, ka deklaruar Balla për Top Channel.

Përveç Ballës, mazhoranca përfaqësohet në “Venecia” edhe nga Ulsi Manja, kreu i Komisionit Hetimor Parlamentar dhe anëtarja e këtij komisioni Klotilda Ferhati.

Meta nuk ka shkuar në “Venecia”, por Presidenca në Strasburg përfaqësohet nga shefi i kabinetit Arben Cici, këshilltari ligjor, Bledar Dervishi dhe këshilltarja për Integrimin, Ilda Zhulali.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme