Partia Socialdemokrate ia ka dorëzuar nënshkrimet LDK-së për inicim të mocionit për rrëzimin e Qeverisë.
Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, ia ka ofruar nënshkrimet e 12 deputetëve, deputetit të LDK’së, Lumir Abdixhikut, si përgjigje ndaj kërkesës për rrëzimin e Qeverisë, raporton Ekonomia Online.
“12 nënshkrimet e PSD t’i dorëzojë menjëherë, Lumir Abdixhiiku. Ne nuk votojmë ligje për shkak të presioneve. Ju, si LDK, jeni partia me e madhe, prandaj hajde po bashkohemi e po e rrëzojmë. Ne gusht të vitit të kaluar merrnim mesazhe qe s’mundemi me u taku. Çdo tryeze qe e thirrni ju LDK do të vijnë dhe ata 3 deputet qe po mungojnë do t’i bëjmë bashkë”, tha Sejdiu.
Reagimi i Sejdiut erdhi, pasi deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se është shqetësuese kur PDK duartroket një parti opozitare.
“Çdo deklarate qe e keni pas e keni fol kundër VV, mirëpo jo kundër Qeverisë. Prej sodit, zyrtarisht i kemi 57 nënshkrime dhe na mungojnë vetëm 4 nënshkrime për mocionin kundër qeverisë”, tha Abdixhiku.
Në këtë frymë, Abdixhiku ka ftuar deputetët e PSD-së që t’i bashkohen opozitës në bojkot, ndërkaq koalicionin qeverisës e quajti të rrezikshëm dhe të padijshëm.
“Meqenëse sot na i përmendet milionat e humbura, atëherë unë po ua përmendi disa të humbura të koalicionit tuaj, 53 milion euro për Bechtelin, 10 milionë për paga të Qeverisë e shumë miliona tjera. Interes i punës është ndërprerja e këtij procesi të votimit. Jeni të padijshëm, jeni të rrezikshëm. I ftoj edhe anëtarët e PSD-së që të mos bëhen pjesë e votimeve të pozitës, por të bëhen pjesë e bojkotimeve të VV-së dhe LDK-së”, theksoi Abdixhiku.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i ka kërkuar deputetit të LDK-së të ketë kujdes me fjalorin.
“Të kesh kujdes me këto kualifikimet, i rrezikshëm e i padijshëm. Ti nuk je profeti Muhamed. Ke marr shumë hov”, tha Veseli, raporton Ekonomia Online.