Ahmeti merr drejtimin e PSD-së, qëllimi ynë përmirësimi i jetës në kolektiv

Prishtinë | 09 Maj 2018 | 18:08 | Nga Besjana Bajrami

Partia Socialdemokrate (PSD) ka mbajtur Konventën. Delegatëve dhe mysafirëve iu është  drejtuar  kryetari i sapozgjedhur Shpend Ahmeti.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, tha se qëllimi kryesor i kësaj partie do të jetë përmirësimi i jetës në kolektiv, dhe jo vetëm për individë, raporton Ekonomia Online.

“Partia Socialdemokrate u krijua në vitin 1990 dhe është ndër subjektet më të vjetra të vendit.  Nuk është përzgjedhur rastësisht 9 Maji – Dita e Evropës, që çuditërisht në Kosovë është pushim”, shtoi ai.

“Evropa duhet të instalohet në Kosovë, ne nuk duam të shkojmë të jetojmë të gjithë në Evropë, por standardet e Bashkimit Evropian të vijnë në Kosovë. Ne duam që të luftojmë për normalitet, për barazi, jo si individë, por si shoqëri, sepse edhe nga e kaluara nuk i kemi bërë askujt keq që të trajtohemi si të pabarabartë”.

Kryetari Ahmeti tha se Evropa dhe standardet e saj duhet të vijnë në Kosovë që të rinjtë të mos kenë arsye të ikin nga vendi, raporton Ekonomia Online.

“Të rinjtë po thonë që duan të ikin jashtë, por në sytë e tyre e sheh që nuk duan të shkojnë. Tregojnë se si njerëzit kërkojnë të shkojnë jashtë të shërohen. Gjenerata e re nuk është se nuk ka ideal e kreativitet, mirëpo na nevojitet një konkretizim i këtyre idealeve”.

“Besojmë që duhet të angazhohemi kolektivisht për të mirën tonë.  Diskursi i 20 viteve të fundit është diskurs i rrejshëm, taksat e ulëta nuk janë të ulëta. Ne nuk kërkojmë nga ju që të ndryshoni por ta nxjerrni vullnetin për atë që e keni”, tha ai.

Bajram Kelmendi, kryetar i deritanishëm i Partisë Socialdemokrate, tha se do të angazhohen qe së bashku të punojnë për të mirë të qytetarit të Kosovës, raporton EO.

“Partia social demokrate ka qenë parti e programit dhe jo e liderëve, dhe për këto tri dekada që jemi angazhu në skenën politike kemi konsideruar që vetëm të bashkuar mund të arrijmë qëllimet. Nuk mund të lëvdohem për përvojat tona në vendimmarrje për këtë kohë. Ne kemi mirëprit dhe kemi qenë të gatshëm të vazhdojmë së bashku sepse në këtë mënyrë fuqizohet partia jonë”, tha ai.

Të ngjashme